Rritja e keqe krijon kushte dhe ushqen edukimin e keq, frikën dhe turpin nga tjetri. Kujdes prindër se si silleni e flisni me fëmijën tuaj. Njerëzorja mësohet nëpërmjet marrëdhënies që ndërtohet nëpërmjet të rriturit me të parriturin.
Nëse i rrituri do të sillet me fëmijën ashpër dhe pakujdes, qoftë dhe duke deklaruar: “ku merr vesh ky, ky është i vogël”. Kjo shprehje në dukje e pafajshme vret te fëmija kurajon për t’u bërë i zoti. Po t’i shtohen kësaj shprehje, veprime të dhunshme, si rrahja e fëmijës, qoftë kjo edhe një shpullë, pasuar me kërcënime e mallkime të frikshme, çfarë mendoni se do të bëhet ai fëmijë. Një i rritur që nuk beson as te vetja dhe as te tjetri. Po e edukuam fëmijën nëpërmjet frikës dhe dyshimit edhe fëmija ashtu do të bëhet një i rritur i shqetësuar e i pasigurt, për të mos thënë problematik dhe i dhunshëm.
Prindër të rritur, fëmija nuk ka vend tjetër ku ta mësojë të mirën përveçse nëpërmjet sjelljes së të rriturve me atë, fëmijën. Një shprehje e urtë thotë: “fëmija nuk dëgjon atë që i thuhet, por shikon atë që bëjnë të rriturit”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.