Gripi është ulur këmbëkryq dhe duke sfiduar, duket sikur thotë:- s’keni ç’bëni, do të më duroni, pini çfarë të doni unë do të iki kur të dua unë”. Njerëzit, të hutuar e të trembur, vrapojnë sa në farmaci, po ashtu, tek mjeku në ambulancë apo spital. Të rritur të hutuar e të trembur, qetësojeni pak veten, se i tmerruat fëmijët.
Do të ishte mirë sikur ta merrnit me pak qetësi këtë situatë dhe të flisni me fëmijët. Përdoreni për mirë këtë situate, sesa trembeni. Tregojuni fëmijëve, se sëmundja nuk është vetëm e keqe. Ajo ngacmon sistemin imunitar, që të fuqizohet dhe të mbrojë jetën tonë. Gjithashtu, na mëson të respektojmë rregullat, që shpesh i neglizhojmë. Sëmundja na fuqizon rregullin, që vetja është e para, që duhet ti shërbejmë vetes edhe se shpesh ilaçet, që përdorim, nuk na pëlqejnë, madje kanë një shije të keqe, por duhet t’i pimë pa bërë “naze”, pasi trupi ka nevojë për to, që të mund të mbrohet apo neutralizojë virusin.
Sëmundja na “kalit” vullnetin, pasi duhet të durojmë dhe të qëndrojmë shtrirë që të mos sëmuremi më rëndë. Prindër, flisni me fëmijët në këtë mënyrë dhe jo të trembur. Mos harroni se vetëm pak javë më parë, ne u përballëm me tërmetin ku edhe në atë situatë, ju prindër ishit të trembur e konfuzë. Flisni me fëmijët ju të rritur, prindër, gjyshër, edukatorë dhe mësues.
Dialogoni me fëmijët, pyetini si e përftojnë gripin apo sëmundjen. Tregojini, që edhe ju keni frikë, por duke folur së bashku, gjeni argumente, që të qetësoheni. Po ashtu së bashku, mund edhe të luani në periudhën kur temperatura është e ulur. Loja në vetvete është një veprim qetësues dhe argëtues dhe njeriu kur ndihet i gëzuar dhe aktiv, e përballon më me lehtësi sëmundjen, madje edhe sëmundje shumë të rënda e jo më një grip të zakonshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.