Krahasimi i fëmijës apo nipit me fëmijën apo nipin e të tjerëve, është një zakon i ulur këmbëkryq në mënyrën se si sillemi dhe i trajtojmë fëmijët. I shkrova këto rreshta pas një bisede me një nënë, që i ishte bërë jeta ferr, pikërisht nga krahasimi që i bënin fëmijës së saj duke filluar nga anëtarët e familjes.
Të rritur, ju bëheni keq kur ju krahasojnë me dikë tjetër, fyheni dhe shkoni deri aty sa nuk i flisni më njeriut që ju krahasoi, atëherë pse e bëni këtë gjë me fëmijën?! “Asgjë nuk e vret lumturinë më shumë se krahasimi”, thotë një thënie e mençur. Prindër, gjyshër, teze halla dhe daja e xhaxhallarë, mos e krahasoni fëmijën apo nipin tuaj, me fëmijën apo nipin e të tjerëve. Një i rritur mund të bëjë më shumë, se të bëjë një fëmijë të ndihet keq.
Të jesh i rritur do të thotë të dish të zgjedhësh fjalën dhe veprimin, që të mos i bësh keq një të pafuqishmi dhe sidomos fëmijës. Të ndjerit keq, mban gjallë pasigurinë, dyshimin dhe mbi të gjitha, mendimin e keq për veten.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.