Kur njeriu është i zemëruar, më mirë të shmangë dialogun me fëmijën, pasi gjendja e tij e brendshme nuk e lejon të jetë i qetë për të dialoguar dhe aq më tepër për të qenë edukues. Kur njeriu është i nervozuar dhe i zemëruar, në përgjithësi, nuk arrin të kontrollojë atë që bën dhe kjo për arsyen, se gjendja e tij psikoemocionale i ka dalë nga kontrolli dhe e drejton atë.
Prindër, në momente zemërimi ju harroni të mendoni se çfarë po i bëni fëmijës tuaj që e doni aq shumë. Sjelljet tuaja, duke filluar nga e bërtitura, fyerjet dhe deri te goditja, janë veprime që njeriu i kryen kur humbet kontrollin e vetes dhe jo pse fëmija ka bërë diçka. Çdo veprim që mund të bëjë fëmija nuk mund të jetë aq i keq sa të meritojë dhunë. Është paaftësia e të rriturit për të menaxhuar veten, që e bën atë të humbasë kontrollin.
Besoj, çdo prind për fëmijën e tij, kërkon të bëjë më të mirën, që fëmija të bëhet një njeri i mirë e i zoti. Por kur prindi sillet sipas gjendjes së tij emocionale, ushqen të kundërtën te fëmija i tij. Padashur i ngulit në mëndje vetëm mosbesimin dhe dyshimin si për veten dhe për jetën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.