Është normale që fëmijët të përjetojnë ankth kur fillojnë shkollën dhe shkojnë në klasë të parë. Të gjithë fëmijët, pa përjashtim, kanë frikë. Disa heshtin dhe nuk demonstrojnë asgjë, ndërsa disa qajnë e dridhen, madje u del gjumi edhe natën nga ankthi i shkollës.
Prindër ,tregojini fëmijës që shkon në klasë të parë që edhe ju, keni patur shumë frikë kur keni filluar klasën e parë, por nuk kishit kurajë ta demonstronit pasi ju thoshin “se është turp”. Thuajani këto fjale dhe sidomos baballarët, ti tregojnë që edhe ai kur filloi shkollën kështu dridhej, madje ndjente një dridhje në bark dhe ta pyes:- po ti kështu e ndjen frikën?
Prindër, duhet të dini gjithashtu, se fëmijët që e tregojnë frikën apo protestojnë se nuk duan të shkojnë në shkollë, janë më të shëndetshmit dhe më të zotët, sepse kanë kurajë të demonstrojnë emocionet e tyre, pavarësisht si etiketohen.
Frika e fëmijëve që shkojnë në klasë të parë është e lidhur me statusin e ri që ka arritur, nga fëmijë kopshti është bërë i rritur, është bërë shkollar. Dhe kjo arritje ka një kosto të lartë emocionale. Fëmija e di që në shkollë shkohet për të mësuar si të mendosh dhe ta shprehësh mendimin. Aty në klasë do të jetë vetëm dhe nuk është më si në kopsht ku luante vizatonte apo mësonte gërma e numra, këtu do të përballet me të qëndruarin në klasë pa lëvizur e pa folur pa leje.
Duhet të pres sa të bjer zilja, duhet të rrijë me fëmijë që nuk i njeh dhe me zyshën e re dhe nuk di si të sillet. Dhe problemi më i madh është: a do të arrijë t’ia dalë t’i bëjë mirë mësimet, siç do mami dhe babi. Pra një fëmijë në fillimet e shkollës përballet me shumë vështirësi dhe dyshime njëherësh që edhe një i rritur nuk e ka të lehtë t’i përballojë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.