“E mi se kot e thotë atë fjalë, ku di ky”. Kjo shprehje zhvleftësuese e prindërve është refreni, që shoqëron fjalën e fëmijës, sidomos kur shpreh mendimin e tij. Është i çuditshëm mosbesimi i prindërve ndaj fjalës së fëmijës.
Prindër! Fëmija çdo fjalë, që shqipton e thotë me seriozitet të plotë. Nuk është si i rrituri, që flet sipas rastit dhe jo atë që mendon vërtetë. Fëmija, kur flet dhe pohon, zërin e ka të ulët dhe jo të fuqishëm. Në këtë rast kur prindërit duhet të jenë të vëmendshëm e të mahnitur, bëhen indiferent apo mosbesues. E kundërta ndodh kur qan apo bërtet, atëherë e marrin seriozisht, madje i nënshtrohen. Pra, e marrin me mosbesim e shaka kur flet dhe i nënshtrohen kur bërtet.
Prindër, është në dorën tuaj çfarë do t’i vlerësoni fëmijës, zërin apo fjalën. Edhe ju kur jeni para një eprori, një njeriu, që di më shumë se ju, apo njeriu të pushtetshëm, me vështirësi ju del fjala dhe zërin e keni të ulur, njëlloj si fëmija juaj kur flet para jush. Edhe kjo pasiguri për fjalën dhe mendimin tuaj, këtu e ka burimin, te mosmarrja seriozisht e fjalës tuaj në fëmijëri. Prindër përpiquni të dëgjoni fëmijën tuaj me seriozitet dhe respekt edhe pse është i vogël.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.