Një karakteristikë tjetër e edukimit tek ne, është padurimi i të rriturve për të gjetur kohën, vendin dhe fjalën e përshtatshme për të ndihmuar fëmijën që të kuptojë veprimet e tij. Të kuptojë, se jo kudo bëjmë veprime të caktuara apo përdorim çdo fjalë. Të rriturit duhet ti mësojnë fëmijës se veprimi tregon më shumë sesa njeriu do të tregojë dhe e di se tregon.
Për fat të keq në rrugët tona has shpesh prindër që keqtrajtojnë fëmijën, që i fyejnë, i bërtasin, deri i godasin sepse bëri një veprim që prindi u nxeh. Mbase prindi ka të drejtë që nxehet, por nuk ka të drejtë të fyej e të godas, madje është e ndaluar edhe me ligj. Prindi jo vetëm nuk ka të drejtë, por pa menduar është bërë edhe modeli i të kundërtës të asaj që pretendon nga fëmija.
Ai, prindi, me sjelljen e tij sipas ngarkesës emocionale, e bën edhe më konfuz fëmijën e tij. Me fjalë i kërkon të sillet mirë, ndërsa me sjelljen e tij, i tregon se i rrituri mund të sillet si të dojë, pa menduar se ku është dhe pa pasur durim të arrijë në shtëpi dhe të flasin shtruar.
Ky padurim i prindit për të përmbajtur veten deri në një çast të duhur dhe për të folur me fëmijën në shtëpi, është shumë i dëmshëm. Dëmton imazhin e vetë fëmijës për veten dhe dëmton rëndësinë e shtëpisë dhe familjes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.