Kur te fëmija fillon pjekja seksuale në të njëjtën kohë fillon edhe adoleshenca dhe kjo gjë ndodh rreth moshës 12-14 vjeç. Trupi i tij “pushtohet nga stuhia hormonale” që është vetëm një nga problemet e kësaj moshe. Problemi më i madh është se edhe truri si organ edhe mëndja si proces psikik, janë në transformim, rritje dhe zhvillim.
Fëmija që nuk është më fëmijë, fillon të riorganizojë të gjithë mënyrën e tij të të parit e të pranuarit të gjërave. Riorganizon edhe njëherë raportet me veten, me të tjerët, dhe mjedisin. Riorganizon marrëdhëniet, por ndërkohë emocionet e tij mund të shfaqen papritmas, intensive, por mëndja është e paaftë për të ndërhyrë e qetësuar, pasi ajo pjesë e trurit (korteksi prefrontal), nuk ka arritur ende pjekurinë e duhur, për të lejuar mendjen të realizojë qetësimin e furisë emocionale, që haset shpesh te adoleshentët.
Pra gjithë ky proces, ky transformim dhe organizim kërkon kohë që të bëhet i plotë. Dhe natyrisht, roli i të rriturit është i padiskutueshëm, madje është detyrë e të rriturit, sidomos e mësuesve dhe e shkollës që me metodat pedagogjike dhe aktivitetet sportive dhe kreative të ndihmojnë adoleshentët të mos bien pre e papjekurisë së moshës së tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.