Kur adoleshenti nuk përfshihet në aktivitete artistike, shkencore dhe sportive, do ta mbushi veten e tij me të vetmen gjë, që natyra i ofron, pulsionin seksual. Do të mbetet peng i ndjelljes dhe i eksitimit të tij të papërpunuar dhe të pakuptueshëm. Nuk do të dijë si të veprojë dhe mbi të gjitha, si ta emërtojë atë, që ndjen dhe provon.
Meshkujt do të kërkojnë femrën me forcën, që i jep natyra dhe tradita, me të drejtën e mashkullit. Ai do ta shohë femrën, jo më si njeri tjetër, por si një objekt, që i duhet, për të shpëtuar nga përjetimi i pulsionit. Adoleshenti nuk do të ndërgjegjësohet, që trupi i tij prodhon farën e jetës dhe ajo nuk mund të shpërdorohet dhe keqpërdoret. Një mashkull duhet të jetë i vetëdijshëm për atë, që është karakteristikë e mashkullores, farën e jetës.
Po kështu duhet të sillen me vajzat adoleshente. T’u tregojnë, që ato kanë vetinë të rrisin jetë brenda trupit të tyre dhe nuk duhet të lejojnë, që të përdoren. Ato duhet të vendosin vetë për veten dhe jetën e tyre, sepse para se të jenë femra, janë njerëz dhe si çdo njeri, gëzojnë të drejtën e të zgjedhurit.
Nëse të rriturit pranë adoleshentit do të jenë të urtë, do ta ndihmojnë, që të njohë ligjet e natyrës dhe mbi të gjitha njerëzoren. Njerëzorja kërkon vullnet nuk është një gjë, që arrihet në çast. Njerëzorja ka një veti sa më shumë të arrish, aq më shumë zbulon, se ka edhe më për të zbuluar. Gjithashtu i mësohet, që të arrihen këto nivele, patjetër duhen energjitë e natyrës. Dhe kjo është detyra kryesore e të rriturit pranë adoleshentit, ti mësojë si njeriu i përdor ato në favor të vetes për të arritur më të mirën dhe jo ti keqpërdorë e harxhojë, pa qenë i vetëdijshëm për vlerat e tyre.
Është pikërisht mosha, kur mësohet të gërshetohet trupi me mendjen. Adoleshenca është mosha kur sfera emocionale zhvillohet dhe njeriu njeh e emërton emocionet e tij. Këtë gjë adoleshenti nuk e realizon dot i vetëm, i duhet i rrituri me tolerancën dhe dijen e tij, që ta nxitë, të mos e pushtojë mërzia dhe përtesa. Pranë adoleshentit i rrituri i urtë, është shpëtim.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.