Shkolla jonë vazhdon të jetë një shkollë, e cila e tremb fëmijën, sidomos në vitet e para. Shkolla jonë vazhdon të jetë një shkollë e lodhshme, që nuk e inkurajon apo nxit nxënësin në arritjet e tij të vogla në dukje. Të mësuarit nuk është një “gjë” e lehtë.
Të mësuarit, ky proces, që është i lidhur me traditën dhe të renë apo inovacionin, si dhe me dipendencën dhe indipendencën, nuk realizohet ashtu thjeshtë, i rrituri flet dhe fëmija mëson. Jo nuk ndodh kështu. Të mësuarit realizohet nëpërmjet një marrëdhënie të sigurt i rritur i parritur, ku i rrituri nuk bërtet, nuk etiketon apo është i paduruar.
I rrituri i jep kohën që i duhet fëmijës për të realizuar këtë proces. Një i rritur, që pretendon se fëmija nuk mëson, pra e kërkon zgjidhjen te fëmija dhe jo te vetja, tregon se i rrituri nuk e ka marrë seriozisht të parriturin. Që fëmija të realizohet, nga një njeri, që luan në një person që punon, kërkohen shumë ndryshime në trurin dhe mendjen e tij, të cilat pa marrëdhënien me të rriturin nuk zhvillohen në më të mirën e tyre.
Edhe pse është bërë një punë e madhe për të përmirësuar arsimin, ende nuk është arritur që shkolla të çlirohet nga frika që i shkakton nxënësit. Gjithashtu mosrespektimi i udhëzimit të ministrisë për mospërdorjen e notave deri në klasë të tretë dhe klasat e tej mbushura me nxënës, shtojnë edhe më shumë numrin e argumenteve për nivel të ulët të të rriturve për të marrë përgjegjësi dhe bërë detyrën e tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.