Sjellja, është “lëkura e mendjes”. Lëkura i jep pamjen njeriut dhe sjellja, i jep vlerën atij. Sjellja i jep kohë mendjes të veprojë, vlerësojë dhe të zgjedhë. Pa sjelljen, njeriu mbetet konfuz dhe rrëmujë brenda vetes.
Prindër! Duke qenë modeli parësor i fëmijës tuaj i tregoni atij, (fëmijës), se si sillen të rriturit. Ndihmoni fëmijën, të bëjë të tijën mënyrën e Platonit, që i reziston ende kohës:- “njeriu i mirë i mendon të gjitha, por nuk i bën të gjitha”. Ai mendon dhe zgjedh se çfarë duhet të bëjë”. Ndihmojeni fëmijën të njohë, vlerësojë e emërtojë atë, që ndjen dhe jo ta ndrydhë atë.
Duke e ndrydhur ndjesinë, nuk do të mund ta dallojë dhe njohë, nuk do të mund ta menaxhojë veten dhe sjelljen e tij, në situata të ndryshme. Jo rrallë ndodhemi në mjedise, ku adoleshentë, të rinj, por edhe shumë të rritur, sillen dhunshëm, me një fjalor banal, që kur e dëgjon, ndien frikë dhe pasiguri. Kjo është pasojë e paaftësisë për të menaxhuar veten dhe mungesën e sjelljes. Njohja e ndjesive dhe rregullimi i tyre nëpërmjet sjelljes mësohet dhe ndërtohet në fëmijëri. Prindër ndihmojini fëmijët tuaj ta mësojnë sa më bukur njerëzoren. Tek e fundit si prindërit edhe fëmijët këtë dëshirojnë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.