Tantrumet apo të bërtiturat e forta, shtrirjet përdhe në mes të rrugës dhe kudo, janë sjellje normale e fëmijëve 2-5 vjeç. Fëmijët e kësaj grupmoshe, kur janë duke luajtur apo u pëlqen diçka dhe u ndërpritet apo nuk u plotësohet, nuk kanë mekanizma, që të mund ta ndërpresin apo kontrollojnë mërzinë që provojnë, kur u ndërpritet kënaqësia.
Në këto raste të rriturit duhet të ruajnë qetësinë e të mos nervozohen apo të turpërohen, kur janë në rrugë. Këto sjellje, të cilat janë fazë kalimtare e fëmijës, janë të lidhura me sferën emocionale, e cila po rritet e zhvillohet, por ende fëmija nuk di ta njohë e menaxhojë. Jo më kot, në vendet e zhvilluara, fillojnë shumë shpejt ti emërtojnë situatat emocionale, që të paktën fëmija të mësojë emrin e asaj që ndjen dhe me rritjen, duke i njohur situatat emocionale do të dijë t`i menaxhojë.
Në traditën tonë, fëmijët që bërtasin apo shtrihen në tokë, pra që bëjnë tantrum, i trajtojmë shumë keq. Nervozohemi vetë, i bërtasim deri e godasim fëmijën. Një problem tjetër, janë dhe njerëzit e tjerë duke filluar nga gjyshërit, që ndërhyjnë vend e pa vend e deri te njerëzit në rrugë. Me mendjen e tyre duan të ndihmojnë, por në fakt, i “hedh benzinë zjarrit” dhe situata bëhet e rëndë për të dy palët, prindër dhe fëmijë.
Nuk duhet ndërhyrë ndërmjet prindit dhe fëmijës. Ndërhyhet vetëm kur prindi dhunon fizikisht fëmijën, vetëm atëherë nuk merret leje. Kur fëmija bën tantrum, në fakt po kërkon ndihmë, pasi nuk di të dalë nga gjendja. Duhet ruajtur qetësia deri sa fëmija të pushojë vetë. Më pas, mos e etiketoni. Në një moment të dytë, sidomos, kur e çoni fëmijën për të fjetur dhe do të lexoni librin, bëni një lojë të vogël, duke e imituar dhe duke qeshur. Mund ti thuhet me qetësi dhe me humor:- mos u bezdis, se ti kështu bën, po të duash mund ta bësh edhe tani që jemi në shtëpi dhe nuk jemi në rrugë. Fëmija pak nga pak mëson të menaxhojë situatën si dhe të mos ketë nevojë ta bëjë më.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.