Të rritur, ju që jeni pranë fëmijëve që kanë humbur prindin apo prindërit, mos i gënjeni, mos ua fshihni të vërtetën që nëna apo babai nuk është më. Mos ua mohoni atyre të drejtën për të mbajtur zi për prindin apo prindërit. Mos i trajtoni sikur ata janë të paaftë për të kuptuar dhe përballuar humbjen e madhe. Mos i lini në errësirë për një ngjarje kaq të madhe siç është vdekja e prindit, e cila është e rëndë edhe kur je i vjetër.
Të rritur, nëse vërtetë i doni fëmijët e personit apo personave që nuk janë më, tregojuni të vërtetën dhe lërini të qajnë dhe mbajnë zi për prindin e tyre. Të rritur prind, gjyshër, daja, teze, halla dhe xhaxhallarë , mos kujtoni se jeni ju që vuani, sidomos, prindi që ka mbetur apo gjyshërit, që kanë humbur fëmijën e tyre. Është e vërtetë që dhimbja është shumë e madhe dhe e vështirë për t’u përballuar, por nuk jeni ju fatkeqët.
Fatkeqët janë fëmijët, të cilët do të rriten pa prindin apo prindërit e tyre. Jeta e tyre, e fëmijëve, nuk ka ndryshuar, por është shqyer dhe ju me indiferencë i gënjeni. I gënjeni për nënën apo babanë që nuk do ta shohin më kurrë. Merrni vendime pa u menduar dhe pa ju shkuar në mend se ku e kini vendin në këtë hierarki dhimbjeje dhe dëmi. Nuk ju shkon në mëndje se po merrni vendime për një eksperiencë që nuk e keni provuar dhe më keq, nuk dini as si trajtohet dhe pasojat që krijohen nga një trajtim i keq, siç është fakti që i gënjeni dhe përjashtoni fëmijët nga zija për nënën apo babanë apo të dy bashkë. Një ngjarje e tillë për fëmijët nën moshën 17 vjeç, nuk kalon pa lënë gjurmë.
Studimet me fëmijët që kanë humbur njërin nga prindërit apo të dy, tregojnë se fëmijët shfaqin sjellje delinkuente si alkooli, droga apo vjedhjet. Përqindja e lartë e këtyre veseve të shfaqura te fëmijët, që nuk janë trajtuar me kujdes në ngjarje të tilla, dëshmon se sa kujdes dhe vërtetësi, duhet të demonstrojnë të rriturit pranë fëmijëve, të cilët pësojnë fatkeqësi të tilla. Këto eksperienca e shënjojnë njeriun shumë rëndë. Vetë prindi që jeton duhet të flasë me fëmijët dhe t’u tregojë për fatkeqësinë, që zuri familjen e tyre. T’i pyesë se si ndihen pasi ai vetë nuk e di se nuk ka një eksperiencë të tillë, aq më tepër duhet t’i mbështesë fëmijët në këtë ngjarje të rëndë. T’i tregojë se ai apo ajo kanë humbur bashkëshortin që kishin zgjedhur për të ndërtuar familjen dhe ndihet shumë keq, por nuk e di si është të humbësh një prind në këto mosha. T’i pyesë fëmijët nëse duan të përcjellin nënën apo babanë, në banesën e fundit apo ta përshëndes për herë të fundit.
Mos i shmangeni, sepse nuk dini si të flisni në të tilla raste, mos i bini shkurt, por tregohuni të përgjegjshëm dhe mos pengoni fëmijët të jenë pjesë e zisë së një humbje kaq të rëndë. Ju gjyshër që jeni shumë të dëshpëruar nga humbja e fëmijës suaj, si nuk iu shkon në mëndje që fëmijët e fëmijës tuaj po i gënjeni edhe pse, në një farë mënyre i kini amanet që të kujdeseni dhe t’i ruani nga e keqja, por për fat të keq ju jeni të pushtuar nga hidhërimi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.