Shpesh shoh e dëgjoj nëna dhe baballarë por edhe gjyshër e gjyshe, të cilët nxitin fëmijët apo nipërit e tyre, që t’u kundërpërgjigjen shokëve, që i ngacmojnë, me goditje, grushta e sharje, madje i fyejnë që nuk reagojnë.
I quajnë “budallenj” apo të “ngordhur” “që nuk dinë të mbrojnë veten” e shumë e shumë etiketime që nuk mbarojnë. Kjo mënyrë të sjelljeje e prindërve apo gjyshërve, është një nga arsyet që ushqen bullizmin te fëmijët dhe adoleshentët.
Fëmijët, që ushtrojnë bullizëm te shokët e tyre, janë po aq viktima, madje edhe më shumë se fëmija që e pëson dhunën. Këta fëmijë rriten në mjedise të ashpra, ku më i forti bën ligjin. Respekti për veten dhe tjetrin apo zgjidhja e problemeve nëpërmjet fjalës, nuk është praktikë e këtyre mjediseve familjare. Në edukimin e këtyre fëmijëve mbizotëron e folura në mënyrë urdhërore, etiketimet, zëri i ashpër e kërcënues, fjalët banale dhe deri përdorimi i shpullave apo shkulja e veshit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.