Mirëqenie

March 16, 2019 | 8:03

Nga Lorela Garuli / Diell, det dhe gjelbërim, adrenalina motivuese

Koha e kaluar në natyrë, në ajër të pastër, pranë peizazheve me det, diell e gjelbërim, redukton stresin, rrit humorin, gjallërinë dhe energjinë.

Përfitimet që ka trupi dhe mendja njerëzore prej natyrës, tashmë nuk janë të panjohura. Ekopsikologjia, nëndisiplina e psikologjisë, e cila shpjegon përfitimet e drejtpërdrejta të natyrës mbi mirëqenien tonë, rendit disa prej efekteve më pozitive që nxisin hapësirat natyrore dhe arsyet se përse duhet t’i kthejmë në çaste më të shpeshta të ditës dhe rutinës tonë.

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Koha e kaluar në natyrë, në ajër të pastër, pranë peizazheve me det, diell e gjelbërim, redukton stresin, rrit humorin, gjallërinë dhe energjinë. Për këdo që jeton në qytete të mëdha, plot trafik, zhurmë e kaos, të kaluarit e të paktën një dite të javës në një ambient natyre, jashtë mureve, është e nevojshme. Kjo kohë e shpenzuar në këtë formë, ul ankthin, stresin dhe elementët depresivë.

Evidenca nga studime të ndryshme dëshmojnë se, koha që kalojmë në natyrë përveçse na bën mirë në nivel qetësie dhe çlodhjeje, njëkohësisht i bën njerëzit më kreativë. Natyra na ndihmon të përmirësojmë funksionet kognitive; nxit përqendrimin më të mirë, kujtesën, vëmendjen dhe krijimtarinë.

Jemi të rrethuar nga një botë ku gjatë gjithë kohës marrim mesazhe dhe sinjale teknologjike, elektrike, mekanike, elektronike. Ndërkohë, stimujt, zhurmat, ngjyrat dhe aromat që na jep një shëtitje në ajër të pastër apo buzë detit, janë shumë më delikate dhe të këndshme.

Praktikimi i një rutine të caktuar ose një sporti në natyrë, njëkohësisht përmirëson vetëvlerësimin, duke qenë se aktiviteti fizik në ajër të pastër është një nga shtyllat kryesore të mirëqenies fizike, mbajtjes së trupit në formën e duhur, por dhe si një antidot për shumë sëmundje fizike.

Të jetosh në kontakt të afërt me natyrën, në epokën e dixhitalizmit dhe industrializimit masiv, nuk duhet konsideruar luks, përkundrazi. Është një domosdoshmëri që i shërben një jete të shëndetshme dhe duhet të jetë pjesë e kulturës dhe e ditës tonë, sidomos në një realitet si yni, i cili është gabimisht i prirur drejt bareve dhe pasivitetit.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 131

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top