Mirëqenie

March 5, 2019 | 8:05

Nga Lorela Garuli / Sjellje që bëjnë mirë kur ndërron stina

Pranvera është koha e duhur për fillime të reja, të freskëta dhe energjike. Ashtu si natyra nxit rritjen, zhvillimin dhe evoluimin në këtë stinë, paralelisht janë dhe një sërë qëndrimesh psiko-sociale të cilat janë ndihmuese në këtë periudhë të vitit.

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Të tregohemi të kujdesshëm në tranzicionin dimër-pranverë

Kalimi nga ftohtësia dhe apatia e dimrit te gjallëria pranverore duhet të jetë i butë e gradual. Jo vetëm në nivel psikologjik, por edhe fizik. Nga dëshira e mirë dhe entuziazmi i madh për t’u kujdesur për veten, mund të përfundojmë duke u sforcuar, lodhur dhe mbingarkuar, që do të thotë se në vend të përfitojmë nga aktiviteti fizik, do të dëmtohemi.

Të dimë të ruajmë qëndrueshmërinë

Me ardhjen e pranverës ngrihet dhe humori i individëve, shtohen gjasat që ata të dalin më shumë, të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme sociale e të përfshihen më shumë në sjellje të tepruara (konsum alkooli dhe drogash, veprime të papërgjegjshme). Ky është një efekt që njihet nga studiuesit (Psychology Today), të cilët raportojnë se ka një numër më të lartë konfliktesh dhe ndarjesh në çift.

Kalendari “emocional”

Duke qenë se pranvera i paraprin verës dhe kjo e fundit është kryefjala e pushimeve, tipikisht ajo shërben dhe si periudha gjatë së cilës gjithkush përgatitet që të jetë në formë sa më të mirë. Mirëpo, pritshmëritë shumë të larta lidhur me këtë mund të shkaktojnë stres, ankth dhe ndjenja pakënaqësie. Për këtë arsye, për të shmangur frustrimin që vjen kur nuk arrihen rezultate e dëshiruara, është e rëndësishme që të menaxhohet në mënyrë objektive koha dhe të vendosen qëllime realiste lidhur me gjërat që duam të bëjmë.

Pranvera është mundësi e re

Duke qenë se shënon një fillim të ri, pranvera mund të shërbejë si pikënisje për plot gjëra që kemi dashur të nisim me kohë, por i kemi shtyrë të përfshirë nga rutina. Angazhim në një sport, fillimi i një projekti të ri, një kurs profesional, angazhime vullnetare e shumë veprimtari të tjera, mund ta kenë zanafillën në pranverë.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top