Nëse Zoti do të më jepte një copëz jetë, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar, jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin. Do t’i jepja rëndësi gjërave, por jo për nga vlera e tyre, sesa për domethënien që kanë.

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge
Këto janë pak prej vargjeve të letrës së famshme të Lamtumirës së Marquezit. Letër e cila më shumë sesa një pjesë letrare, përbën një shtyllë të fortë ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e të jetuarit në të tashmen dhe mbi fokusimin në ato gjëra që janë vërtet të rëndësishme. Njeriu, që prej fillimeve të tij është lëkundur mes raportit shpirtërore-materiale. Kanë folur filozofë, studiues, psikologë, shkrimtarë, njerëz të fesë e politikës se, një jetë e qetë dhe e shëndetshme është ajo në të cilën njeriu ruan një ekuilibër mes dimensionit njerëzor dhe rendjes drejt parasë. Por, siç të gjithë e dinë dhe nga përvoja e vet, është thuajse e pamundur të mbahen këto balanca.
Lumturia ka prirjen të shihet “me syze rozë”. Rritemi, arsimohemi, edukohemi, punojmë, krijojmë marrëdhënie, dashurohemi dhe jetojmë duke u shoqëruar nga dëshira për të qenë të lumtur. Ndërkohë, po të fillojmë të pyesim shumicën prej nesh se “A janë të lumtur?”, me siguri do të fillojnë të na tregojnë se çfarë nuk shkon mirë me jetët e tyre dhe pse nuk janë të lumtur, se e mira nuk ka fund, se fëmijët duhet të rriten, se kredia duhet paguar, se puna që bën s’i pëlqen, se kolegun s’e duron dot e me radhë. Duket sikur kemi prirjen për të kërkuar përherë e më shumë, pa ditur të shohim e vlerësojmë ato gjërat e vogla, të rutinës dhe përditshmërisë, të cilat në fakt përbëjnë jetën tonë.
Është e vërtetë që e mira nuk ka fund, por nëse lidhet lumturia me të mirat materiale, zor se do të arrijmë ndonjëherë të ndihemi të plotësuar. Të mirat materiale janë para, paratë janë shifra, e shifrat janë të pafundme. I gjithë sekreti është te fokusi. Nëse edukohemi ta shohim të bukurën kudo dhe të marrim kënaqësi nga aktivitetet e zakonshme, me siguri në fund të ditës do të jemi më në paqe me veten.
Nga një bisedë të thjeshtë me një njeri të dashur, një kafe me një mik, një shëtitje në natyrë e shumë e shumë të tjera, nëse i vlerësojmë sa duhet, do të marrim energji pozitive, duke përmirësuar ndjeshëm mendimet dhe emocionet tona. Nëse do dimë të marrim kënaqësi nga gjërat që na duken të parëndësishme, e sigurt që do të jemi më të lumtur; vërtet të mëdhatë janë më të rëndësishme nga përmasat, por të voglat janë më shpeshta e frekuente.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.