Mirëqenie

January 16, 2020 | 8:13

Nga Lorela Garuli / Zbulo fëmijën përmes përrallave!

Duke qenë se përrallat tregohen në moshë të hershme, pa më të voglin dyshim, ndikimi i tyre është shumë i madh dhe roli i tyre është përcaktues në zhvillim. Një zhvillim i shëndetshëm përfshin pa përjashtim dhe një fëmijëri të pasur me rrëfim përrallash, të cilat janë njëkohësisht argëtuese dhe jashtëzakonisht edukuese.

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Lorela Garuli, Psikologe dhe Pedagoge

Fëmija ka nevojë të gjejë veten dhe të përcaktojë vendin që zë në mjedisin e tij social. Përralla e ndihmon shumë në këtë drejtim. Për më tepër, përralla jep mesazhe të domosdoshme mbi raportet njerëzore, moralin, të drejtën dhe të mirën. Sado anakronike të mendohet se është ajo, vlera edukuese e përrallës është e patjetërsueshme, duke qenë se është një nga instrumentet që më së miri e kryejnë këtë funksion. Si një prej literaturave më tradicionale e të hershme, dhe duke qenë se i përgjigjet herë në mënyrë të tërthortë e herë në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve të fëmijëve, përralla ndikon direkt në socializimin e tyre dhe si një faktor orientues mbi shpjegimin e funksionimit të marrëdhënieve njerëzore.

Marrëdhënia e përrallës me fantazinë është e ndërsjellë; në një kohë që përralla bazohet tek imagjinata, ajo ndikon pozitivisht në zhvillimin e kësaj karakteristike tek fëmijët. Një fëmije që i tregohen përralla do ta ketë fantazinë edhe më të zhvilluar sesa një bashkëmoshatar i tij, i cili nuk është ekspozuar ndaj tyre.

Përralla e cila flet me fantazinë, pra me gjuhën e fëmijës, i tregon atij se kontradiktat e brendshme që ai mund të ketë, por s’i shpreh dot, nuk qenkan vetëm të tijat individuale, por qenkan problematika më të gjera dhe të përgjithshme. Duke gjetur zgjidhje për dinamikat e brendshme psikologjike nëpërmjet përrallave, fëmija kupton një gjë shumë të rëndësishme dhe ngushëlluese për rritjen e tij të shëndetshme psikologjike. Ai mëson se nuk është i vetëm në përjetimet e tij dhe në skutat e pavetëdijshme. Pikërisht ky ndërgjegjësim është një komfort emocional shumë i dobishëm.

Si duhet treguar një përrallë?

Përralla është një përvojë e përbashkët mes prindit-fëmijës, gjyshërit-fëmijës. Kjo do të thotë se nuk duhet konsideruar një punë mekanike, e lodhshme apo si një detyrë e rëndomtë. Prindi duhet të zhytet në rrëfim, duke i dhënë rëndësinë e duhur të gjitha konflikteve të fëmijës. Përralla është mjet komunikimi, e si e tillë është pranuese dhe fleksibël ndaj çdo ndërhyrjeje të fëmijës. Në këtë rast, përgjatë rrëfimit, fëmija duhet të ndihet i lirë ta ndërpresë rrëfimin dhe të shtojë, të heqë apo të zëvendësojë detajet sipas dëshirës së tij. Kjo i shërben identifikimeve dhe projektimeve të tij. Pra, ndërhyrjet që bën fëmija gjatë dëgjimit, janë absolutisht të rëndësishme.

Një fëmijë mund të kërkojë në mënyrë të përsëritur që prindi t’i tregojë të njëjtën përrallë; ky i fundit duhet ta plotësojë këtë kërkesë dhe të kuptojë që ajo përrallë mbart një kuptim të caktuar dhe domethënës për fëmijën. Nuk këshillohen përrallat me figura apo ilustrime. Gjatë rrëfimit, fëmija duhet të jetë i lirë të fantazojë. Një imazh, do t’ia kufizonte shumë imagjinatën. Për këtë arsye, përralla duhet rrëfyer dhe nuk duhet lexuar. Përralla është simbolike, jo didaktike. Fëmijës nuk i duhet shpjeguar kuptimi i saj i fshehur dhe nuk ka nevojë të interpretohet, sepse fëmija nuk e zotëron akoma të menduarit kritik e racional.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 144

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top