Shtimi i literaturës me fokus njohjen e botës së fëmijëve, është në shërbim jo vetëm të prindërve, por të gjithë shoqërisë në përgjithësi. Sa më të ndërgjegjshëm të jemi mbi aspekte të zhvillimit të tyre, aq më të kujdesshëm e të vëmendshëm do të jemi dhe për t’i mirërritur dhe mirë-edukuar. Kujdesi në elementët e ndryshëm të një rritjeje të shëndetshme psikologjike të fëmijëve, lidhet direkt me shkallën e emancipimit të shoqërisë.
Natyrisht që libri është bazuar në një literaturë të gjerë shkencore bashkëkohore, nga konkluzione studimesh të realizuara në universitete të ndryshme perëndimore dhe burime nga disa gjuhë të huaja, për të siguruar vlefshmërinë dhe besueshmërinë. Pavarësisht se është shumë spontan dhe argëtues, vizatimi përfshin një sistem grafik, shenjash dhe simbolesh, pra ka një gjuhë të vetën. Vizatimi te fëmijët, ashtu si të gjitha format e tjera të zhvillimit intelektual, shprehet sipas disa stadeve e hapave që janë në përputhje me moshën dhe nivelin mendor të tij. Është një matës shumë i mirë i disa elementëve të zhvillimit: i motorikës, iniciativës, imagjinatës, lirshmërisë, shkathtësisë, mprehtësisë, mënyrës sesi percepton dhe pasqyron botën, i informacioneve që fëmija ka mbi tema të caktuara, kontekstit social, kulturor dhe ekonomik të tij.
Duke vizatuar, fëmija materializon dhe konkretizon botën e tij të brendshme. Është lojë dhe art, por duke vizatuar fëmija njëkohësisht shpreh atë që sheh, që mendon, që dëshiron dhe që e shqetëson. Vizatimet e para dallojnë cilësisht në formë, përmasa dhe vendosje mes fëmijëve të moshave të ndryshme; ato të një fëmije 1-vjeçar sigurisht që janë më të çrregullta se ato të një 3-vjeçari, që ka nisur të bëjë harqet e para, më pas format vertikale, i orienton më mirë në fletën e vizatimit, derisa këto zhgarravitje bëhen gjithnjë e më përfaqësuese duke marrë trajta konkrete.
Vizatimet e fëmijëve mund të interpretohen për të kuptuar disa dimensione: si e shohin veten, raportin me prindërit, elementë të vetëvlerësimit e të mekanizmave mbrojtës, si e marrin dashurinë, si përqasen ndaj marrëdhënieve me të tjerët. Për të kuptuar gjendjet emocionale, vijnë në ndihmë disa vizatime të ndryshme, të cilat sqarohen në libër me detaje dhe me pjesët përkatëse të interpretuara. Kështu p.sh. nëse do të vlerësonim në bazë të ngjyrave të cilat përdor më shumë fëmija, do të kuptonim disa veçori të caktuara.
E verdha do të shprehë sipërfaqësi, dinamizëm, lëvizje, liri, ekstraversion, kureshtje. Bluja qetësi, ngurrim, një ftohtësi në nivel emotiv. E kuqja më shumë se çdo ngjyrë tjetër është shprehëse e gjallërisë, lëvizjes, pasionit, emocionit, kurajës, deri agresivitetit, që sipas kontekstit mund të jetë tregues i një mungese kontrolli, dhune e shpërthime inati.
Ndër kryesorët është vizatimi i pemës. Të vizatosh pemën, do të thotë të bësh një lloj autoportreti; nis me rrënjët, që përfaqësojnë mënyrën sesi i përqasemi mjedisit tonë, vazhdon me trungun si baza dhe pjesa më e qëndrueshme e personalitetit, duke përfunduar me kurorën e degët e pemës që janë si një “çati” apo nëse do të paralelizohej me trupin njerëzor, do të simbolizonte kokën, pra të menduarit racional. Rrënjë të thella shprehin lidhje të fortë me nënën; prania e frutave dhe luleve ka të bëjë me shprehi të mira sociale dhe prani potencialesh; me gjethe që bien shpreh boshllëk emocional e me radhë.
Vizatime të tjera të rëndësishme janë: figura njerëzore, shtëpia dhe familja. Fëmija e vizaton veten të madh apo të vogël në fletë në varësi dhe të rolit që ai ka në familje. Zgjedh të vizatojë më të madh personazhin që do më shumë apo që ka më ndikim në jetën e tij. Vizaton një shtëpi të madhe me shumë dyer e dritare kur jeton një familje që i siguron afeksion e dashuri. E bën veten të vogël kur ndihet i parëndësishëm. Vizaton një çati të madhe kur është shumë ëndërrimtar. Vizaton me ngjyra të errëta kur ndjen dhimbje, zemërim, trishtim. Këto janë vetëm disa shembuj në morinë e shprehjeve grafike të fëmijëve, që nëpërmjet vizatimit flasin për botën e tyre shpirtërore dhe mendore.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.