Në fokus

May 29, 2018 | 13:17

Nga Manjola Baçi / Pavendosmëria…herë si ndjenjë faji, herë si keqardhje

“Sa e pavendosur që je”, dëgjoj zërin e një gruaje që po i fliste së bijës në një dyqan rrobash për fëmijë, teksa e pashë veten të përhumbur në fëmijërinë time, ku të zgjidhje për të blerë një lodër apo fustan ishte një kënaqësi e madhe. E nisa si një histori dialogu që jo vetëm unë e kam të dëgjuar, por secili nga ne është ndeshur duke e personifikuar me të kaluarën e vet. Por, tek e dëgjon, tingëllon si diçka demoralizuese, gjykuese. Të jesh i pavendosur nuk tregon mungesë personaliteti. Ajo është një zgjedhje që kërkon qetësi e kohë të mjaftueshme. Sa herë jemi përballur kur jemi nxituar për diçka, të pakënaqur deri në qortim të vetes. Kjo sigurisht që nuk na ka bërë të ndihemi mirë.

Nga Manjola BAÇI,  M.Sc. Psikologe Klinike

Nga Manjola BAÇI,
M.Sc. Psikologe Klinike

Familja është trualli që përmbush nevojat për të mbjellë dhe rritur mirëqenien e vetëbesimin e pjesëtarëve që ndajnë jetën së bashku. Për të kuptuar që kjo nuk është një formulë klishe, së pari duhet të besojmë se si mund të na vijnë të mirat që duam dhe nga kush na duhet mbështetja morale. Shoqëritë emancipuese kanë treguar se, vlefshmëria për cilësinë e jetës gjendet në komunikimin e hapur, për të demonstruar lirshmërinë e karakterit.

Një tjetër aspekt domethënës mbi gjendjen e të qenit i pavendosur lidhet me stadin moshë, status. Nëse ndjek perspektiven (congnitive-behavior) sjelljendjenjat- mendimet, paraqitet një skemë me shigjeta të ndërsjella që do të thotë se, cila nga këto ka treguesin për atë çfarë mendon dhe vepron njeriu gjatë procesit jetësor. Fëmijëria e mesme zhvillon në këtë stad disa nga ndjesitë: inferioritet–ego, që do e përndjekin gjatë gjithë periudhës së jetës. Kjo e thënë në mënyrë të moderuar, me zhdukje dhe shfaqje në bazë të situatave.

Qysh në këtë moshë, fëmijët mësohen të zgjedhin përballë alternativave të ndryshme që i paraqiten. Po e stërholloj me një nga teoritë e zhvillimit të fëmijës për të kuptuar pse kaq shpesh ndihemi të pavendosur kur rritemi, sepse po e vazhdoj logjikën, fëmijët janë të menjëhershëm në zgjedhje, çfarë e koklavit atë më pas është mënyra ndërhyrëse që bën i rrituri (familjarët).

Ju kujtohet dialogu në fillim të shkrimit se si intruvizon prindi me fëmijën, mënyra influencuese (kritikuese) që e vë në vështirësi fëmijën, duke menduar se “sa gabim po bën që je kaq e pavendosur”, kur në rastin ideal do të ishte inkurajimi motivues për t’u mos u ndierë e paaftë përballë një zgjedhjeje që në fund është kaq argëtuese të vishesh dhe të ndihesh mirë me veten.

Nga këtu fëmija merr edukimin se si një zgjedhje të mos jetë kaq e vështirë. I rrituri sot priret të jetë i pavendosur, kjo për shkak të mungesave të alternative, të mbështetjes familjare, mungesës së inkurajimit dhe motivimit ndërpersonal.

Pavendosmëria nuk duhet parë si anomali personaliteti, por si diçka për të vlerësuar të nevojshmen e asaj që kërkojmë të kemi. Shoqëria e quan si të tillë, por me moshë, shijet e perceptimi ndryshojnë. Çdo gjë rreth nesh ndryshon, edhe pse ka mungesë vetëdijeje për ta kuptuar këtë gjithësi.

Nuk ka imunitet në gjini. Si femra dhe mashkulli përjetojnë gjendje pavendosmërie përballë zgjedhjeve, por instinkti mund të ndryshojë te femra. Kjo nuk e lë pas gjininë e kundërt të ketë avantazh, logjikën e ftohtë përballë zgjedhjeve. E panjohura, me të drejtë sjell një gjendje të pasigurt e të dyzuar, çfarë e diferencon është karakteri i individit dhe rrethanat. Që të jem më e qartë, njeriu është i prirur për të qenë skeptik në atë çfarë do dhe bën, për shkak të frikës për të mos gabuar në zgjedhje dhe luhatjes së humorit që përjeton.

Pavendosmëria është një aspekt sjelljeje që të çon hera-herës në një vullkan tensionimi e zemërimi, që në ato herë nuk duam të gjendemi në të tilla situata. Unë mendoj që kur gjendemi në pikëpyetje të këtyre zgjedhjeve, duhet të kesh instinkt e logjikë të ftohtë, pasi zgjedhja mbetet më e mira se sa të jesh e paqartë. Me siguri që ka kureshtje se si mund ta zotërosh të panjohurën.

1.Kur të duhet të zgjedhësh dhe je në dilemë, vendos mendimin e parë që të shkon në mendje. Për këtë të duhet të jesh i vetëdijshëm në momentin e nevojshëm. Kur t’i vendos se çfarë kërkon, nuk ke vështirësi për të vendosur. Përpiqu që të zbulosh mbi të panjohurat, që të mos të çojnë në zgjedhje të gabuara. Në rast të një vendimi, përpiqu që të mos të tërhiqesh pa e sfiduar veten përkundrejt veprimit për të ndërmarrë, pasi tërheqjen e bën kur kupton se është jashtë mundësive të tua. Fillo të njohësh alternativën si mundësi për të përmirësuar heqjen dorë.

2.Të rastis ty, mua, të gjithëve ne, të provojmë gjendje pavendosmërie, por sa herë që e provojmë, e kuptojmë sa gjëra të rëndësishme jemi duke përjetuar, dhe sa rritemi përballë zgjedhjeve që janë në dorën tonë. Nëse të duhet të krenohesh me veten, është momenti kur je në marrjen e vendimeve dhe jo ta shohësh si dështim, pasi e sigurt që do më të mirën për veten që të ndodhë, ndaj jo kaq frikë se çfarë do të ndodhë pas kësaj.

3.Jepi vlerë e kohë mendimit, nëse e ndjen veten në kurth të presionit. Mos merr vendime të nxituara, por prit derisa të jesh e bindur kur të kërkohet ty mendimi, vlera je ti. E sigurt që gjithçka e stisur bukur dhe saktë vjen si rrjedhojë e një maturie personaliteti, pjekurie emocionale, që të drejtosh veten në drejtimin e duhur, ndaj të duhet kohë për ta arritur këtë cikël. Stili i jetës është një nga udhërrëfyesit për të përballuar qasjet, për t’i dhënë zgjidhje, jo të menjëhershme, por të të marrë kohën që të nevojitet ty.

Unë besoj fort që përballë një vendimi reflektoj sjelljen dhe ndërmarr atë çfarë posedoj nga personaliteti. Kur individi vuan nga pavendosmëria për të zgjedhur, po i ndodh ajo që pritej, ndjenja e fajit ose e keqardhjes, sidoqoftë kjo e është e pashmangshme.

Zgjidhja është, analizo në mënyrë objektive deri në detaj, përsërite disa herë versionin duke monologuar me veten dhe do shohësh se do ndihesh mirë dhe ke marrë vendimin e duhur. Nëse nuk do të rrezikosh mirëqenien psikologjike, ndiq një logjikë të ftohtë. Kjo nuk do të thotë mungesë emocioni, por qasje pozitive.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top