Në fokus

January 17, 2017 | 9:29

Nga Manjola Baçi: Puna është bindje… të pabindurit jemi ne!

Ah, kur bëhet fjalë për punë, edhe e duam, edhe ngrysim fytyrën! Kjo si zakon i mësuar, por edhe i ngjitur. Ju kuptoj plotësisht, mos u ndjeni në siklet, ju ndodh të pyesni veten çfarë po ndodh me mua, kur në një kohë kaq të vështirë për të gjetur një punë unë ankohem? Për hir të vërtetës, vështirësia qëndron te sistemi se si ajo përcillet si nevojë apo pasion për të punuar. E pakundërshtueshme si e tillë është sjellë me një mistikë herë për të përmbushur nevojat dhe për të interpretuar më pas virtytet e njeriut dhe herë për të zbuluar brenda nesh pasionin për punën.

Manjola Baçi Psikologe klinike

Manjola Baçi
Psikologe klinike

Sot terapistët, ashtu si edhe unë në punën me individë, këshillojmë të ndiqet pasioni për punën që ke dhe dëshiron. Udhëhiqemi shpesh nga zakonet që kemi marrë përgjatë jetës familjare. Aty kemi mësuar profesionet e prindërve tanë, punën që ata bënin, gëzimin, lodhjen, zemërimin që ndienin në punë dhe ngarkesën që e reflektonin në shtëpi. Përse ka rëndësi kjo? Kjo reminishencë e së shkuarës na ka përgatitur ne që jemi sot, me dëshirë ose jo për punën, të përgatitur ose jo për ndjesitë që përfshin puna, të ndërgjegjësuar ose jo ndaj nevojave që kemi për të gjetur rrugën se çfarë të zgjedhim.

pune-4

Puna dhe të qenit në punë ka ndryshim si në perceptim, ashtu edhe në angazhim. Kur punësohemi, pritshmëritë dhe vullneti janë relativisht pozitive, çka ndihmon ndjesitë që kemi ndaj përgjegjësisë në punë. Përveçse proces jetik, puna stimulon kreativitetin, përmirëson komunikimin, ndërgjegjëson individin dhe shoqërinë, angazhon dhe largon nga monotonia, njësoj siç e thotë edhe shprehja popullore “Puna është nder», edhe pse sot nocioni i punës është fleksibël për nga interpretimi, edhe pse ende puna paragjykohet dhe profesioni stigmatizohet. Një tjetër shpjegim vjen për punën e padëshiruar nga vetë të rinjtë, të cilët e paragjykojnë mundësinë për punësim. Kjo ka si arsye të fortë shkollimin e tyre, që nuk përputhet me atë nivel akademik. Ndaj, në shoqërinë tonë është më e dukshme për hir të konceptit të një sistemi që ka kalitur dhe ngritur në kult 5-6 profesione si të vetmet që ekzistojnë. Kjo mendësi e ndryshuar sot, na gjen të papërgatitur dhe të gjykuar për punën që bëjmë.

Sot puna na zgjedh dhe shumë pak prej nesh e kanë këtë të mirë që e zgjedhin. Kjo gjë na fut në konflikt me veten dhe të tjerët. Shiritin e presim vetë, duke e paragjykuar ne të parët punën ku jemi. Duke njohur dhe shtjelluar në analizë kulturën për punë, mbetet për të thënë: jo, nuk jemi të ndërgjegjësuar për punë, edhe pse vijmë nga breza që kanë dhënë kontribut të lartë në punë. E pandërgjegjshmja kolektive nuk ka thyer tabu, por ka rrëzuar edhe ato mundësi për të kultivuar/injektuar dëshirë për të punuar. Me apo pa dashje shoqëria mendoi se e rrëzoi murin, por ngriti barriera që, sot e kësaj dite, po luajnë kukafshehthi, si për të thënë që nuk dua të rritem dhe të punoj. Nuk dua kurrsesi të bëj sarkazëm, por pasiviteti për punë është shumë i shprehur. Sot të rinjtë, edhe pse u dal në krah për t’ua kuptuar pengesat që vijnë si pasojë e ngërçeve dhe se nuk janë ata shkaku për këtë, unë i shoh indiferentë, me mungesë nevoje dhe vërej prindër që i mbështesin dhe i përkëdhelin. Jo të gjitha familjet shqiptare kanë këto predispozita, por kanë edhe këtë aspekt që është po kaq negativ sa i pari, prindër që nuk kanë punuar për të induktuar te fëmija nxitjen për të punuar dhe për të krijuar pavarësi. Janë po këta fëmijë që, kur përballen në kolektivin e punës, ngecin në komunikim për të pasur një marrëdhënie të mirë me eprorët apo me kolegët.

grupMarrëdhënia midis eprorit është tjetër dhe midis kolegëve është tjetër gjë. Në nivel diskutimi, këto marrëdhënie nuk janë të barabarta, në varësi të figurës që mbart eprori dhe motos që përcjell ai midis njëri-tjetrit. Marrëdhëniet midis kolegësh rregullohen, pasi ata mbulojnë njeri-tjetrin. Por si i bëhet kur shefi është autoritar? Puna bëhet e lodhshme apo shefi nuk durohet? Nuk duhet sosur durimi, nëse shefi ju urdhëron apo bërtet kur ka diçka që nuk shkon me ju. Jo për të përkrahur katilin, por për të kuptuar edhe jetën e tij në aspektin jo vetëm profesional, por edhe atë personal. E njëjta gjë vlen edhe për eprorin. Kërkojini që t’ju respektojë, gjithmonë në kushte favorizuese për ju.

Si ta ndihmoni veten në punë

  1. Nëse jeni person që nuk përshtateni dot në një vend pune, ju sugjeroj të largoheni prej andej dhe të bëni një periudhë pushimi derisa të rifitoni energji.
  2. Nëse inatoseni për gjënë më të vogël me kolegët, ndani me ta ndjesitë që keni dhe flisni hapur. Me siguri situata do të ndryshojë.
  3. Kur e keni të pamundur të përfundoni punën që u është caktuar, krijoni një axhendë në bllokun tuaj të punës dhe përcaktoni me radhë detyrat, duke filluar nga ato më të rëndësishme.
  4. Mos e ngarkoni veten me çështjet familjare. Puna do t’ju duket më e lodhshme, dita më e gjatë dhe performanca zero.
  5. Çdo ditë kur ngrihesh, thoni: “Kjo ditë është për mua”. Jeta familjare dhe ajo në punë do të duken si kënaqësi.

Puna dhe familja janë përmbushja që njeriu e kërkon, por jo të gjithë e gjejnë. Më lejoni ta ndaj këtë ndjesi me ju lexues të dashur. Më vjen keq për ata njerëz që kanë dëshirë dhe pasion për të punuar, por gjenden të papunë dhe të tjerë që janë në punë dhe neglizhojnë.

Si të ndiheni mirë në punë

  1. Zgjidhni punën që dini dhe bëni më mirë. Edhe në punët më të pakënaqshme, ka diçka pozitive.
  2. Jini të gatshëm për t’i ndihmuar kolegët. Mësoni të shkëmbeni punën, kështu ndërtoni dhe ruani respektin.
  3. Ndani ecurinë e punës me eprorin dhe këshillohuni me të. Kjo gjë forcon marrëdhënien.
  4. Jini të hapur për problemet që hasni në punë, edhe pse rrezikoni performancën tuaj. Më mirë t’ju njohin të sinqertë se sa individ të shtirur.
  5. Thoni “jo” nëse ju kërkojnë të bëni punën që nuk u përket. Të tjerët do ta kuptojnë karakterin tuaj, edhe pse kjo mund t’ju rrezikojë vendin e punës. Më mirë kështu, pasi do të vuanit më tepër, duke u nëpërkëmbur nga të tjerët ose më keq akoma nga vetë shefi.
  6. Nuk ka punë të lodhshme. Në çfarëdolloj pune mjafton që ta merrni seriozisht dhe lodhja në punë do të zhduket. Madje, edhe njerëzit që na lodhin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top