Toleranca si vlerë e mirëkuptimit, e ndjenjës për të qenë i drejtë dhe parimor, bën që kjo karakteristikë kaq e vyer, të jetë mbartës kulturor dhe individual. Toleranca përcakton edhe kufijtë deri ku mund të jemi të tillë, kjo për vetë faktin pasi çdo gjë është reciproke. Në kulturën tonë shqiptare, përveç traditave tona, toleranca në ditët e sotme nuk është e pranishme. Kjo shihet në marrëdhëniet në çift, familjare, në shoqërinë civile etj. Burimi i të gjitha këtyre ngërçeve çon në pezmatimin për të krijuar atë balancë që sot e shohim disi të pamundur, për mos të thënë jo shumë të filtrueshme.
Po të jemi të vëmendshëm, do të shohim që në jetën e përditshme kemi nevojë për pak tolerancë ndaj gjithçkaje dhe kur ndodh, ndihemi më mirë, pasi toleranca shihet edhe si altruizëm. Mundësitë që japim apo marrim nga njëri-tjetri ndonjëherë i shohim si dyshuese apo veprime të cekëta. Kjo ndodh sepse kontraktimi midis vetes dhe tjetrit nuk tejçon energji pozitive. Nga këndvështrimi psikologjik, toleranca shihet si vlerë pozitive, por edhe si model i mësuar, pasi si çdo gjë tjetër, vetia e tolerancës është e edukuar. Ajo rrit vlerësimin për veten, për jetën, për natyrën, për njeriun. Bën që individi me dinamikën që ka, ta shohë si fenomen eksplicit, e cila verbalizohet me shumë tregues, që ndodhin në terrenin shoqëror. Kur nuk gjendet toleranca, vjen si produkt intoleranca, e cila në kontekstin shqiptar ku dhuna, brutaliteti, konfliktet sociale janë pjesë e shoqërisë civile. Si pjesë e pashmagshme e saj sot, kemi shqetësime të modeleve të sjelljes, mungesë etike, sjellje të imponuar, pra janë zgjedhje të cilat përftohen nga situatat, ngjarjet, etj.
Krahasuar me vendet e tjera, të huaja, toleranca shihet si demostrim i një humanizmi përkundrejt njëri-tjetrit, ku përcaktohen sjellje morale dhe etike. Aty shfaqet një shoqëri e civilizuar në aspektet e marrëdhënieve familjare dhe shoqërore, përfshirë respektin reciprok në mënyrë të natyrshme, me rregulla, pa kushtëzuar askënd, por duke përbërë tolerancën si mënyrë komunikimi, qoftë atë verbale dhe jo vetëm. E gjithë kjo tregon sesa të mira sjell virtyti i tolerancës, subjekti që dominon pothuaj një pjesë të mirë të jetës sonë, sesa e domosdoshme është ajo për të lehtësuar dhe mbajtur mirë marrëdhëniet tona. Është aftësi për ta zbatuar atë sa herë që lind nevoja për prosperitet apo cilësi të jetës sonë.
Si të jemi më tolerant?
-
Të dëgjojmë më tepër sesa të flasim
-
Kur nxehemi me dikë, të braktisim zënkën
-
Të kërkojmë më shpesh të falur
-
Të kuptojmë tjetrin kur na flet ashpër, nuk ka qenë dita e tij/e saj
-
Kur ndodhemi përpara një vështirësie, që do të na irritonte, apo një
të papriture, menjëherë të fokusohemi te diçka pozitive që kemi kaluar
-
Të përpiqemi të jemi tolerant, në kohën dhe momentin e duhur
-
Të mos mendojmë e ngatërrojmë asnjëherë që, toleranca ka prejardhje naiviteti
-
Toleranca kthehet në magji kur ne e vëmë në funksion atë sa herë që përballemi me situata të pakëndshme, por edhe kur të tjerët kanë nevojë për mirëkuptim dhe ndihmë.
Të mundohemi të rrisim vlerat për respektimin e vetes, kështu ndikojmë edhe në shoqërinë civile.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.