Në fokus

June 4, 2019 | 8:17

Nga Marsida Simo / Kujdes nga idhulli!

Fazat e rritjes së adoleshentëve shoqërohen me një tërësi ndryshimesh dhe zhvillimesh, të cilat duhen ndjekur me kujdes nga prindërit, mësuesit apo ekspertët e tjerë. Një pjesë e rëndësishme e formimit të botëkuptimit të tyre janë modelet njerëzore që ata i ndjekin dhe duan t’i përngjajnë.

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Disa i emërtojnë si “VIP-a”, disa të tjerë i identifikojnë si njerëz të televizionit, apo thjesht “të famshmit”. Zakonisht, preferencat e të rinjve për idhuj të ndryshëm janë kryesisht nga fusha e muzikës, kërcimit, kinematografisë apo sportit. Historikisht çdo brez ka pasur njerëz të famshëm, të cilët konsideroheshin si ikona të kohës dhe që duartrokiteshin apo dhe mbaheshin në dhomë me anë të fotografive.

Ata që kanë jetuar gjatë viteve 1950 e më tej, do të kujtojnë suksesin e madh të yjeve të rinj të muzikës rrok si Elvis Presley dhe Pat Boone, apo yjet e filmave si Marlon Brando, Paul Newman etj. Këta personazhe patën ndikim mjaft të gjerë tek të rinjtë e asaj kohe si dhe krijoi edhe subkultura (një kulturë “të vogël” brenda kulturës së “madhe”) të cilat u panë si mënyrë jetese. Këta idhuj nuk i përkisin vetëm Amerikës, por edhe më gjerë, të paktën deri ku televizionet arrinin të kishin sinjal. Edhe Britania nxori të famshmit “The Beatels” të cilët bënë që shumë fansa të dashuroheshin çmendurisht me ta. Por mos harrojmë që muzika rrok solli edhe sloganin “seks drog dhe roke-n roll”, një periudhë kjo e cila u pasua edhe me lirinë seksuale në atë kohë.

Pas luftës së dytë botërore, edhe vendi ynë krijoi idhujt e vet, kryesisht nga bota e artit, ku të rinjtë nuk shpëtonin dot pa pasur një person të preferuar, edhe pse jeta që këta të fundit bënin nuk ndryshonte shumë nga njerëzit e thjeshtë. Idhujt e asaj kohe kalonin në aq shumë filtra sa nuk linte pasoja të “rrezikshme” nëse imitoheshin. Megjithatë ishin kohët kur këngëtarët vlerësoheshin për vokalin e tyre dhe interpretimin. Aktorët njiheshin për çdo film që ata kishin luajtur dhe duheshin për artin që shpërndanin. Sportistët kishin tifozët e tyre që i përkrahnin.

Pas viteve ‘90 idhujt në vendin tonë u shtuan dhe u dhjetëfishuan, duke u gërshetuar më ata të vendeve fqinje kur dikur dëgjoheshin vetëm fshehtas nga valët e ndonjë radioje italiane. Amerika sërish solli rrymat e saj muzikore si dhe shkëlqimin e aktorëve të panumërt. Në një bum të tillë me informacione, adoleshentët kishin lirinë të përzgjidhnin modelin më të parapëlqyer. Idhulli nuk ishte vetëm ai apo ajo që kishte vokal, por edhe ai apo ajo që kishte një makinë luksoze, jahte, vila, para. Adoleshentët filluan të imitonin këngëtarë nga ana tjetër e botës, që vishnin pantallona kaubojs, ose çorape të gjata si Britney Speart.

Sigurisht që imitimi i idhujve është fazë kalimtare, por jo e parëndësishme në formimin e personalitetit të adoleshentit. Vitet e fundit, nën lirinë e medias dhe shtimit të artistëve, janë futur edhe elemente negative të cilat mund të kthejnë antivlerat në vlera dhe anasjelltas. Adoleshentët jo pak herë mund të marrin mesazhin se shumë nga personazhet e ekranit nuk iu është dashur as shkollë apo specializim për të shkëlqyer në një fushë të caktuar. Deri diku ka mjaftuar paraja, miqësia apo pamja e jashtme. Nëse hidhni një vështrim në rrjetet sociale, mund të gjeni dhe deklarata adhurimi që të rinjtë bëjnë për idhujt e tyre apo thirrje kërcënuese, agresive, për këto që nuk ka të njëjtën pëlqim si ata.

Idhujt krijohen, shuhen ose jetojnë përjetë në memorien e shumë njerëzve. Në jetën e adoleshentëve ka një rëndësi bazike ku do të ishte mirë që ata të ushqehen me figura më me vlerë që transmetojnë dije, dashuri për jetën, respekt për ligjin, pse jo dhe pak idealizëm apo dhe rebelizëm. Po ashtu adoleshentët duhet të dinë dhe t’ju mësohet se personat që dalin në ekran nuk janë as hyjni, as të paprekshëm, por njerëz të cilët kanë zgjedhur një profesion të tillë. 

Jo çdo kush që del në televizor është pashmangshmërisht i denjë për t’u kopjuar. Le të jenë prindërit modeli i parë më i mirë, ku fëmijët mund të mbështeten. Më pas është mirë të mbushen me modele reflektimi, përmes leximit, artit, veprimtarive reale dhe pozitive.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 137

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top