Mirëqenie

May 15, 2019 | 8:20

Nga Marsida Simo / Vetja, tjetri & morali, pozitivë për ngritjen e qytetërimeve

Keni vënë re ndonjëherë ndonjë vogëlush rrugës, kapur fort përdore me prindërit e tij dhe ju buzëqesh, ul kokën dhe turpërohet?! Ai nuk ju njeh, nuk ka asnjë interes me ju, nuk mendon gjatë nëse po vepron mirë apo keq, por ama, ju fal një buzëqeshje.

Nga Marsida Simo Sociologe

Nga Marsida Simo
Sociologe

Leksionet e para ku na prezantohet bota, nisim t’i memorizojmë diku pas moshës 3 vjeç. Prindërit porosisin me qindra herë që të huajt mund të jenë njerëz të këqij dhe duhet qëndruar larg tyre. Tjetri bëhet i frikshëm, i rrezikshëm, por njëkohësisht e shohim që është edhe i nevojshëm. Normat shoqërore janë të shumta për çdo aspekt të jetës, dhe secila prej tyre pasohet me një dënim nëse nuk zbatohen. Dalëngadalë humbim besimin, ngremë dyshimin, e rrisim kohën për të dashur dikë.

Si pasojë, çdo vit që rritemi dhe koha kalon, e humbasim atë dëlirësi dhe pastërti fëminore. Racionalja zhvillohet, e së bashku me të, mësojmë më shumë të shtiremi dhe të gënjejmë me idenë për të bërë gjënë e duhur. Mundohemi të fshehim ndjenjat, mendimin, pastaj nisim edhe paragjykimin kur shohim që tjetri nuk ecën në rrugën tonë. Duam sa më parë t’ia shkëpusim dorën nënës dhe mos t’ia zgjasim as babait, vetëm e vetëm për të kërkuar pavarësinë. Kjo liri ka kosto dhe pasoja, por sigurisht është e pashmangshme.

Kërkojmë me ngulm të rritemi, t’ia dalim vetë, të shtojmë pasurinë, të ikim, t’ia mbathim, të shkojmë larg. Disa i futen pangopësisë dhe grykësisë, duke gërmuar edhe atë pak ëmbëlsi që mund të kishin diku në qenien fëminore. Në vijim të një jetese të tillë, do të gjenden sërish të pakënaqur dhe të palumtur.

Sipas teorive psiko-sociale njeriu i nënshtrohet një sërë dukurive shoqërore, mjedisore, etj, të cilat ndikojnë në formimin e personalitetit të tij. Në fillim prindërit, pastaj institucionet shkollore, puna, shoqëria, janë gjatë gjithë kohës të pranishme për të na mësuar si duhet të veprojmë. Vetja jonë është diku aty brenda nesh, lufton herë pas here për të ngritur krye, të ngrejë zërin dhe pse jo edhe të bërtasë. Por ka edhe nga ata individë që qëndrojnë të mbyllur në vetvete, frustrohen dhe nuk shijojnë asgjë. Apo siç mund të ketë edhe nga ata persona që duan të shkatërrojnë dhe të prishin.

Në shoqëri ku mungon liria e zgjedhjes, që janë të varfra dhe me mungesë arsimimi, rregullat që përbëjnë moralin janë më të egra dhe më shtrënguese për individin. Madje krijojnë norma që bëhen më të forta se vetë ligji apo çdo gjë tjetër. Në këtë mënyrë morali tjetërsohet dhe bëhet monopol i një grupimi njerëzish. Janë këto vende ku njeriu jeton me korniza të ngushta vendimmarrje. E mira dhe e keqja mund t’i ndërrojnë vendin njëra-tjetrës, ku njerëzit kthehen në buratinë, siç ndodh në shoqëri diktatoriale, patriarkale, apo anarkike etj.

Sigurisht që çdo shoqëri ka ligje dhe kufizime, por janë pozitive vetëm ato që ngrejnë qytetërime. Ndaj nevojitet një “vete” skeptike, kërkuese ndaj informacionit, të hapur ndaj të ndryshmes, bashkëpunues me tjetrin, që pret gëzime, por edhe jep. Po ashtu, shoqëria lipset edhe për njerëz kryengritës apo protestues, pasi pa ata nuk do kishim mundësi zhvillimi. Por mos harroni, pas një dite të gjatë në punët tuaja të përditshme, edhe nëse ishte e lodhshme apo rutinë, gjeni pak kohë të buzëqeshni, edhe pa ndonjë interes apo pa ndonjë super arsye.

Veproni pikërisht si ai vogëlushi kapur fort për dore me prindërit. Janë disa detaje të vogla, që do ishte mirë t’i ruanim nga fëmijëria, sepse na mbushin me jetë. Në fund të fundit, nuk ka gjë më të moralshme dhe më të shëndetshme se buzëqeshja.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top