Këshilla & Arsye

January 20, 2020 | 8:04

Nga Marsjola Domi: Evolucioni drejt “përmbysjes” së emocioneve / Të ndjesh nuk të bën të dobët

 

Po ndryshon shoqëria apo thjesht çdo gjë po behët më e dukshme? Dhunë fizike, verbale, lëndime, vrasje deri tek ato më çnjerëzoret po shtohen dita-ditës. A ndodh kjo për faktin se ne njerëzit po kthehemi në mekanikë dhe po humbet të ndjerit emocione, apo thjesht po mësohemi t’i shtypim ato në mënyrë që të përshtatemi dhe të mbijetojmë?!

Marsjola Domi

Marsjola Domi, psikologe klinike

Mos qaj, nuk ia vlen”, “mos u mërzit”, “pse trishtohesh”, “pse qesh kaq shumë”, janë këto dhe shumë shprehje të tjera që fillojnë të thuhen që nga familja, në shoqëri dhe kudo te njerëzit e tjerë.

Në një lloj mënyre të gjithë drejtojmë njëri-tjetrin të mos ndjejmë. Çfarë do të thotë mos qaj? Mos u mërzit?  Qaj, nëse të qahet, bëje sepse njerëzorët kështu funksionojnë, duke shprehur emocionet e tyre. Mërzitu për gjërat që për ty kanë vlerë dhe ndoshta i humbe apo diçka nuk shkoi si duhet. Shprehi çfarë ndjen, qoftë edhe duke bërtitur nga gëzimi sepse diçka e bukur ndodhi.

Të ndjesh nuk të bën të dobët.

Gabimi ynë lidhet dukshëm me rrënjosjen e thellë që ne realizojmë, duke thënë se të ndjesh të bën të dobët. Jo! I dobët je kur nuk ndjen. Kur fshihesh pas një pamjeje të qetë dhe brenda teje bota përmbyset, kështu nuk mund të jesh as i fortë dhe as i drejtë me veten. Kur një njeri tregohet kaq i pamëshirshëm me veten sa e torturon atë deri në pikën kur të tjera emocione ndjen dhe të tjera shfaq, çfarë mund të pres shoqëria prej tij? Jo ndjeshmëri!

1

Empatia është aftësia për të kuptuar ose ndjerë atë që një person tjetër po përjeton. Të vendosësh veten në vendin e tjetrit. Sa e bëjmë ne këtë gjë? Pa një përgjigje fikse rezultatet janë ato që shohim. Duke filluar nga familja që është baza e gjithçkaje shohim të rriten një brez fëmijësh që bullojnë e më vonë bëhen të rritur me sjellje delikuente, e ndoshta vrasës. Të rinj që krijojnë lidhje dashurie, lëndojnë dhe lëndohen dhe kanë frikë pas së gjithash të ndjejnë sërish. Zgjedhin të bëhen mekanikë duke mos u përfshirë emocionalisht në raporte të reja. Zgjedhin të shmangen, zgjedhin t’i konformohen një shoqërie që ndoshta po ndryshon tërësisht, ose ndoshta po shfaqet më hapur.

Zgjidhja është të ndjesh, zgjidhja është empatia, vetëm kështu mund të ketë më shumë njerëz të lumtur dhe një shoqëri më paqësore.

2

Jeta për të gjithë është një luftë, në mënyrë metaforike të gjithë jemi duke luftuar me diçka. Jemi ne ata të cilët zgjedhim të mësojmë nga eksperiencat tona. U lëndove? Në rregull. Ti e di se si është kjo gjë, atëherë mos lëndo dikë tjetër, gjej arsyet që të mund të jesh i lumtur.

Të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë, a nuk do të ishte më mirë të ishim të lumtur për njëri-tjetrin dhe sigurisht ta shprehnim këtë gjë?

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top