Dhunë, urrejtje, tradhti, vrasje në emër të dashurisë. Të quajtura ndryshe krime pasioni mbartin në vetvete peshën e rëndë të përjetimit të xhelozisë. Një ndjenjë grricëse, ngacmuese dhe fiksuese, xhelozia është një lloj reagimi emocional që bazohet në parandjenjën e një kërcënimi që rrezikon prishjen e një marrëdhënie sociale.
Jo gjithmonë bëhet fjalë për fakte reale dhe situata konkrete, në përgjithësi xhelozia ngrihet mbi ndjenjën e dyshimit që krijohet në një marrëdhënie midis dy personave. Xhelozia lidhet ngushtë dhe me një sërë emocionesh të tjera si zemërim, lakmi, hakmarrje etj. Zakonisht kjo formë e reagimit emocional gërshetohet me katër reagime të tjera siç janë: zemërimi, frika, dëshpërimi dhe neveria. Në përgjithësi xhelozia është një reagim i turbullt, që një njeri ndjen, kur kupton se ekziston dikush që po konkurron për pozitën, vendin apo dashurinë e një personi.
Zakonisht renditen tre lloje xhelozie; konkurruese, e projektuar dhe delirante. E para është ajo e shëndetshme dhe varet nga dëshira për superioritet ndaj partnerëve të tjerë. E dyta lind kur vetë partneri xheloz tradhton dhe nis të mendojë se partneri tjetër mund ta tradhtojë gjithashtu. Shpeshherë lind nga ndjenja e fajit. Xhelozia delirante është bindja e pakontrollueshme se partneri po tradhton, edhe pse nuk ekziston asnjë provë.
Ka studiues që thonë se të gjithë ne duhet të jemi nga pak xhelozë dhe se pak xhelozi është e nevojshme. Kështu p.sh në lidhjen bashkëshortore xhelozia e lehtë tregon se diçka nuk shkon mirë. Është normale dhe e logjikshme që njeriu do ta mbajë pranë vetes atë që dashuron. Nëse nuk ndjen ndopak xhelozi, atëherë as lidhja nuk është lidhje dashurie.
Reagimi i xhelozisë gjendet tek të gjithë njerëzit, por kjo ndodh në shkallë të ndryshme. Kështu, ka njerëz që bëhen xhelozë në disa raste, por shumë shpejt fillojnë ta kontrollojnë veten përpara se besimi në vetvete t’u lëkundet. Ndjenja e xhelozisë tek ai luan rolin e nxitësit drejt suksesit, kundrejt sfidës, pa mundur të krijojnë ndjenja të smirës dhe të lakmisë. Por, ka edhe njerëz të tjerë që bëhen shumë xhelozë dhe tek ata ndjenja e frikës, dëshpërimit dhe neverisë bëhet shumë sunduese duke shkaktuar ndjesi të forta lakmie, ndjenja të të qenit i mangët, i pafuqishëm dhe fajtorë. Gjithë këto ndjenja janë të dhimbshme dhe mund ta nxisin individin drejt armiqësisë dhe drejt rrënimit shpirtëror. Nëse xhelozia e gruas është e fortë, kjo mund ta armiqësojë me burrin e saj dhe mund të hakmerret apo t’i prishë jetën bashkëshortore me grindje e konflikte, të cilat mund të çojnë në ndarje. Kjo xhelozi mund të nxisë edhe kryerjen e krimeve.
Xhelozia gjendet më së shumti te ata individë të cilët kanë jetuar trauma në fëmijëri, duke i bërë të ndihen të dyzuar dhe me komplekse në marrëdhëniet si një i rritur. Sipas psikanalistëve xhelozia shfaqet në fëmijërinë e hershme. Një xhelozi që na ndjek gjithë jetën. Kur jemi xhelozë, në realitet jemi duke rijetuar dhimbjen e vjetër që kemi provuar qysh të vegjël, kur me lënien e gjirit kemi parë mamanë tonë të shkëputet prej nesh dhe papritmas jemi ndjerë të braktisur, të tradhtuar. Sipas psikanalistëve mënyra sesi e kemi jetuar këtë dhimbje, të pashmangshme për të mundur të dalim nga marrëdhënia tërësore me mamanë, kushtëzon çdo raport tonin dashuror. Askush nuk do mund të jetë mjaftueshëm i devotshëm dhe i përkushtuar.
Xhelozia kthehet në patologji atëherë kur ajo bëhet e vazhdueshme. Sipas psikologëve xhelozia është një ndjenjë e natyrshme. Nëse mungon do të thotë se është e fshehur në të pavetëdijshmen, prej nga mund të ngrihet papritmas me pasoja që vështirë se mund të kontrollohen. Në jetë është normale të përjetuarit një ose më shumë kriza xhelozie, por duhet të merren masa nëse bëhet një gjendje e vazhdueshme në të cilën nuk mendohet tjetër veçse sikur tradhtohen nga partneri.
Trajtimi më i përshtatshëm në këtë rast do të ishte me disa teknika të tipit të rrëfesh mbi një fletë vuajtjen tënde, ndihmon në kapërcimin e saj. Xhelozia mund të fshehë një dëshirë të pavetëdijshme për pabesi, në këtë rast të hysh në terapi mund të arrish të menaxhosh më mirë ndjenjën. Nëse nuk mund të shmangim të qenurit xheloz, mund të shmangim pasojat e shkatërrimit prej saj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.