Në fokus

November 26, 2019 | 8:23

Nga Melisa Shehu: Mos e projektoni fëmijën tuaj si “fëmijë perfekt”

Ka disa prindër të cilët duan me çdo kusht që fëmija e tyre të jetë perfekt. Që kur fëmijët janë bebe prindërit rrisin tek fëmija një lloj ndjenje perfeksionizmi që i ndjek ato gjithë jetën e tyre. Fëmijën tuaj nuk mund ta projektoni ju, dhe kështu nuk mundeni ju të përcaktoni personalitetin apo tiparet e tij.

Melisa Shehu, psikologe këshillimi

Melisa Shehu, psikologe këshillimi

Fëmija juaj nuk është fëmija brenda jush, por një qënje njerëzore që duhet të jetojë jetën e tij. Ndaj fëmijën brenda jush duhet ta gjeni dhe kuroni me kujdes, por pa cenuar të drejtën e fëmijës tuaj për të qenë ajo që dëshiron të jetë.

Ëndrrat tuaja nuk janë detyrë e fëmijës tuaj për t’i realizuar. Ka prindër të cilët shtyjnë fëmijën e tyre të pëlqejnë pasione që ato nuk kanë mundur t’i realizojnë kurrë. Disa të tjerë këmbëngulin të realizojnë ëndrrat që ato kanë pengje gjatë jetës. E gjitha kjo dëmton fëmijën tuaj emocionalisht dhe nuk arrin të shprehë apo ndjekë atë që vërtet është në personalitetin e tij.

Mëso ta duash fëmijën tënd për atë që është dhe jo për atë që ti dëshiron të jetë. Dhe nëse nuk ecën shpejt, dhe nëse nuk flet shpejt, dhe nëse nuk mëson të numërojë shpejt, dhe nëse nuk bën asgjë shpejt, dhe nëse nuk është më i miri. Duaje për atë që është, mos projekto fëmijën tënd si fëmijë perfekt. Mësoja gjithçka me dashuri dhe përkushtim, fëmija juaj është unik, mos e tjetërsoni atë, vetëm sepse ju doni kështu.

Mos bëni me fëmijën tuaj çfarë dëshironi, çfarë është në modë, dhe mos u rrëmbeni nga dëshira për të treguar tek të tjerët që fëmija juaj është “perfekt”, që fëmija juaj është më i bukuri, më inteligjenti, etj. Pranojeni për atë që është dhe punoni më të që të bëjë më të mirën e tij, punoni me të që të gjejë dhe të dojë veten. Zbuloni tek ai pasionet, dëshirat, qenien e tij unike dhe adhurojeni.

Çfarë i shkakton fëmijës tuaj e gjithë kjo?

E gjitha kjo mund të konsiderohet një lloj abuzimi psikologjik, ku fëmija është vazhdimisht nën presionin e më të bukurës, më të mirës dhe më perfektes. Duke u rritur me këtë lloj “kulture prindërore”, fëmija korrigjohet vazhdimisht. I tregohet vazhdimisht se ç’duhet të bëjë, si duhet të sillet, në mënyrë perfekte. Kështu ju nuk i falni fëmijës tuaj një model të mirë, nuk i falni dashuri, përkushtim, por jeni vazhdimisht të zënë duke projektuar tiparet e tij. Fëmija nuk do të gjejë dhe njohë veten e tij të vërtetë, nuk do ketë vetëvlerësim, nuk do të ketë guxim të veprojë pa aprovimin tuaj. E gjithë kjo do të ndikojë në personalitetin e tij, ndaj fëmijët duhet t’i duam dhe pranojmë për atë që vërtetë janë, dhe prej qenies së tyre të mrekullueshme të gëzojmë prindërimin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top