Të duash veten do të thotë ta pranosh atë që je dhe të pranosh te vetja gjërat që nuk i ndryshon dot. Ka vetëm diçka që zgjidh çdo problem dhe ajo është “të duash veten”. Të duash veten do të thotë ta pranosh atë që je dhe të pranosh te vetja gjërat që nuk i ndryshon dot. Është e rëndësishme të dimë që askush nuk është perfekt, të gjithë kemi pika të forta dhe të dobëta, por duhet të besojmë fort që kemi aftësi dhe mundësi, që na bëjnë unikë dhe të pazëvendësueshëm.

Melisa Shehu, psikologe këshillimi
Është detyra jote të zbulosh te vetja se çfarë të bën ty unik, të zbulosh tek vetja qenien tënde të mrekullueshme dhe të punosh me të, të marrësh përgjegjësitë e jetës dhe të bësh më të mirën tënde.Ndoshta keni kujtime të një realiteti jo të mirë në fëmijërinë tuaj, ndoshta ju e shihni botën ndryshe nga sa është në të vërtetë, ndoshta për shumë arsye keni bërë gjëra të gabuara, por gjeni shkaqet dhe gjurmoni të kaluarën tuaj, përballuni me të, faleni veten dhe mësoni ta doni atë në një mënyrë që vetëm ju mundeni. Nuk mund të presësh aprovimin e të tjerëve për të qenë ajo që je, fillon dhe mbaron me ty.
Vetëm ti mund të pranosh veten tënde, ti je gjithçka që ti ke. Të duash veten do të thotë të kesh respekt, të besosh, të kesh një imazh pozitiv për qenien tënde. Kur mëson të duash veten kujdesesh për mendjen, trupin dhe gjendjen tënde të brendshme. Stimuloje veten për të lexuar në lidhje me trupin, me mirëushqyerjen, me ushtrimet që të ndihmojnë të jesh versioni më i mirë i trupit tënd. Mendja juaj gjithashtu ka nevojë për shumë kujdes, trajtojeni mirë atë, investoni në të. Kërkoni për paqe tuaj të brendshme, zbuloni qenien tuaj shpirtërore, meditonidhe adhurojeni veten tuaj. Rrugëtoni thellë në shpirtin tuaj dhe gjeni paqe.
Ndoshta gjatë rrugëtimit tuaj ju do njihnigjëra jo të mira te vetja, por ky është qëllimi, të zbuloni, pranoni dhe punoni me veten tuaj. Nëse dëshiron të duash veten, investo në rritjen dhe zhvillimin tënd. Marrëdhënia që ke ti me veten tënde, është shumë e rëndësishme për gjithë stilin e jetesës që ti zgjedh të kesh dhe ky stil i mirë jetese varet sa e doni dhe kujdeseni ju për veten tuaj. Pasi të gjesh dhe të duash veten, është shumë e rëndësishme për mirëqenien tuaj të ndërtoni edhe një marrëdhënie mirënjohjeje, empatie dhe dashurie me të tjerët.
Mirënjohja ndaj gjithçkaje që ke dhe mirënjohja ndaj gjithçkaje që të tjerët bëjnë për ty është një nga themelet për një shëndet të mirë fizik dhe psikologjik, rrit lumturinë dhe kënaqësinë për jetën. Gjithashtu, ndaj me të tjerët dashurinë dhe ndihmën tënde. Kur ndihmojmë të tjerët në situatat e tyre stresuese, ne në fakt po përmirësojmë aftësitë tona të rregullimit të emocioneve dhe për këtë arsye përfitojmë një shëndet më të mirë emocional.
Përqëndrohuni te vetja, por mos harro që ti nuk je qendra e universit. Ka një botë të bukur atje për të eksploruar dhe provuar, për t’u ndier bukur dhe për të shijuar. Jini vetvetja dhe përqafojeni jetën ashtu siç është. Teknika e vetë-dashurisë është çelësi i të ndjerit i plotësuar dhe i lumtur.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 151
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.