Në fokus

November 25, 2017 | 16:13

Nga MSc.Valentina Telhaj: Varësia nga drogat

MSc. Valentina Telhaj, psikologe këshillimi, terapiste EMDR niveli 1

MSc. Valentina Telhaj, psikologe këshillimi, terapiste EMDR niveli 1

Kur njerëzit fillojnë të përdorin drogë, ata nuk mendojnë se do të bëhen të varur. Ata e pëlqejnë shumë mënyrën se si droga i bën të ndihen. Thjesht,  kanë besim se mund ta kontrollojnë drogën. Ata besojnë se mund të përdorin drogë aq sa duan dhe kur duan. Por, drogat shkaktojnë ndryshime në tru dhe trup, kështu që pas një kohe, personat kanë nevojë të përdorin drogë që të ndihen normalë ose siç ndodh para fillimit të përdorimit të drogës. Kjo është varësia ndaj drogave, e cila mund të shfaqet shumë shpejt dhe të zgjasë gjatë gjithë jetës. Me varësinë ndaj drogave, kur një  person nuk mund të ndërpresë përdorimin e drogës pavarësisht dëshirës dhe vullnetit për ta ndërprerë, nuk është e lehtë për t’u realizuar.

Motivi dhe nxitja për të përdorur drogë është aq i fortë saqë është shumë e vështirë për ta kontrolluar edhe pse personi është i bindur për dëmet që i shkaktohen nga droga. Varësia mund të vijë në atë shkallë, saqë bëhet më e rëndësishme sesa nevoja për të ngrënë dhe për të fjetur. Nxitja dhe motivi për të siguruar dhe përdorur drogë vjen dhe bëhet e vetmja gjë për të cilën personi mendon. E zë çdo moment të jetës së personit. Varësia zëvendësohet me të gjitha gjërat që personi më parë gjente kënaqësi.

1

“Ekzistojnë dy forma të varësisë, varësia fizike dhe psikologjike. Varësia fizike nënkupton ndryshimet fiziologjike, që ndodhin në organizëm si rezultat i marrjes së rregullt të drogave, si rrjedhojë organizmi mësohet me prezencën e drogës dhe ndërprerja e menjëhershme e saj shkakton sindromën e tërheqjes (e njohur si krizat). Varësia psikologjike nënkupton sjelljet kompulsive apo shprehi të përdorimit të drogave për ta përmbushur nevojën psikologjike, ose tundimin, të cilin është shumë e vështirë për ta mposhtur.”[1]

Personi i cili është i varur, mund të bëjë pothuajse gjithçka, të gënjejë, të vjedhë, të lëndojë njerëz etj, vetëm për të siguruar drogë. Për këto sjellje personi mund të arrestohet. Varësia është sëmundje, sikurse diabeti dhe kanceri, ajo nuk është thjesht një dobësi e personalitetit. Njerëz të të gjitha shtresave, të pasur ose te varfër mund të bëhen të varur. Varësia mund të ndodh në çfarëdo moshe, por zakonisht fillon kur personi është i ri. Në shoqërinë shqiptare, drogat dhe problemet që shkaktojnë ato janë bërë më shumë evidente sidomos pas viteve ‘90. Me hapjen e shoqërisë, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, një produkt i ri deri diku edhe i panjohur për shoqërinë tonë të asaj kohe siç ishte droga, u fut në vendin tonë. Deri në fillim të viteve ‘90 kishte shumë pak ose aspak përdorues të drogave “të forta”, siç mund t’i quajmë. Drogat më të përdorshme deri në atë kohë ishin duhani, alkooli si dhe disa preparate farmaceutike. “Rruga ballkanike” ka kushtëzuar politikën shtetërore për t’u fokusuar kryesisht në fushën e marrjes së masave kundër trafikut ilegal të drogave. Trafikimi i drogave është një nga aktivitetet ilegale më fitimprurëse të krimit të organizuar së bashku me trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën, krimin ekonomik dhe pastrimin e parave.

Shqipëria nuk përbën vetëm një rrugë tranziti të drogave ilegale, por ajo është vendi ku droga kultivohet, tregtohet lokalisht dhe abuzohet. Nuk mund të flasim për një numër të saktë të përdoruesve të drogës nga të rinjtë shqiptarë, por Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me organizma të tjerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë ka kryer dhe vazhdon të kryejë një sërë studimesh rreth kësaj fushe. Sipas YRBS (Youth Risky Bihevior Survey) studim i kryer në shkolla me të rinjtë e moshave 14-18 vjeç tregohet se 5.4% e të anketuarve kishin eksperimentuar me kanabis, 4% me ekstazi, 1.4% kishin përdorur heroinë dhe 1.6% kishin përdorur kokainë.[2]

Kryeqyteti mban numrin më të madh të përdoruesve të drogës, të cilët janë adoleshentët dhe të rinjtë. Nga viti në vit niveli i përdorimit të drogave nga të rinjtë shqiptarë numri i përdoruesve të drogës ka është në rritje, por ajo që mbetet më problematike është se këta përdorues janë adoleshentë. Rreth 6-7 për qind e të rinjve përdorin drogë, duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri tek kokaina, heroina, me injeksione. 

Droga është një substancë që sjell ndryshime fizike dhe psikologjike. Droga mund të jetë e ngurtë (krak),e lëngshme (alkooli),ose e gaztë (inhalante). Përdorimi i drogës ndikon te shëndeti, puna, jeta personale, në familje dhe në rrethin shoqëror. Fillimisht japim përkufizimin se çfarë kuptojmë me drogë. OBSH-ja cilëson si drogë çfarëdo substancë që duke u futur në një organizëm të gjallë modifikon një ose më shumë funksione të tij. Sipas këtij përkufizimi merren parasysh drogat e ligjshme, si duhani apo alkooli, si dhe ato të paligjshmet: hashashi, heroina, kokaina, drogat sintetike, etj.[3]

2Me fillimin e përdorimit të drogës, individi krijon tolerancë ndaj saj. Kjo do të thotë që për të marrë efektin e duhur përdoruesi duhet që të marrë gjithnjë e më shumë drogë. Prandaj programet e parandalimit mund të shërbejnë për të adresuar faktorët e rrezikut për abuzim drogash dhe pasojat që prodhojnë ato.  Siç janë sjellje agresive, aftësi sociale jo të mira, dhe vështirësi në të mësuar.

  • vetëkontroll;
  • ndërgjegjësim emocional;
  • komunikim;
  • zgjidhje e problemeve sociale
  • mbështetje akademike, veçanërisht në lexim.
  • marrëdhënie bashkëmoshatarësh;
  • vetë-efikasitet dhe siguri;
  • aftësi rezistuese ndaj drogave;
  • përforcim i sjelljeve antidrogë;
  • forcim i angazhimeve personale ndaj abuzimit të drogave.

Popullata e përgjithshme duhet ndërgjegjësuar te këto pika kyçe të ndryshimit. Programet e parandalimit të komunitetit duhet të shtrihen në disa ambiente: shkolla, klube, organizata të bazuara në besim, dhe media;  të cilat janë më shumë efektive dhe shfaqin qëndrueshmëri, mesazhe në komunitet në secilin mjedis.

Në qendrat e trajtimit për personat që abuzojnë me drogat, në qendrat shëndetësore, te psikologu, punonjësi social dhe psikologu i shkollës janë disa nga qendrat ku kemi profesionistë, të cilët mund të kërkojnë ndihmë për këta përdorues.

 [2] ishp.gov.al/multimedia/botime/broshure

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top