Psikofakt

January 27, 2018 | 9:00

Nga njëri brez në tjetrin

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Gandi, ky filozof indian i shekullit të kaluar, ka thënë apo shkruar se planeti Tokë nuk është pronë vetëm e një brezi, se atë njerëzimi ua merr vazhdimisht hua brezave të ardhshëm. Në dritën e këtij mendimi, kuptohet se këtyre brezave duhet t’u lëmë një planet të denjë për ata, jo vetëm të pastër nga pikëpamja ekologjike, por edhe të pajisur me struktura ekonomike, politike, sociale e kulturore të përshtatshme në mënyrë që brezat e rinj të rriten jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht të shëndetshëm. Mirëpo nganjëherë harrojmë se brezat e ardhshëm janë fëmijët e sotëm, që përbëjnë faktorin njerëzor, pra, më kryesorin, nëse kërkojmë të përgatisim një brez të gatshëm për të marrë në dorëzim planetin Tokë.

Në Shqipërinë e sotme, si në mbarë vendet e tjera, edukimi i fëmijëve nis në gjirin e familjes, sidomos gjatë pesë-gjashtë viteve të para të jetës së tyre, çka nënkupton që vetë prindërit duhen orientuar nga psikologët, psikopediatrit dhe edukatorët qysh para se të lindë fëmija, sepse njeriu nuk lind prind, ai bëhet i tillë. Sigurisht që ky orientim paraprak nuk mjafton; prindi i ri duhet të mbajë lidhje të rregullta me psikologun, detyrimisht deri sa fëmija e tij të arrijë në moshën e pubertetit, madje edhe ta kapërcejë atë, pra deri sa të arrijë në moshë madhore. Në këtë kuadër, do të ishte mirë që prindi i ri të lexonte një sërë librash me autorë pikërisht psikologë, psikopediatër e edukatorë. Njëri nga këta libra, siç e kemi shpjeguar para shumë kohësh në faqet e kësaj reviste, është edhe ai i amerikanit Fitzhugh Dodson me titull “Gjithçka luhet para moshës gjashtë vjeç”, në të cilin, gati një gjysmë shekulli më parë, ai nënvizonte tashmë rëndësinë e veçantë e të paanashkalueshme që ka fëmijëria për të ardhmen e individit, pra, edhe të brezave që do të vijnë. Sigurisht që prindi i ri, por edhe ai që ka më shumë se një fëmijë, duhet të lexojë gjithashtu autorë të tjerë që janë marrë e merren me problemet e fëmijërisë e të edukimit të fëmijëve. Gjithsesi, këto lexime duhen bërë edhe me ndihmën e psikologut apo të psikopediatrit, por do të ishte e këshillueshme gjithashtu që prindërit të mblidhen duke u organizuar në shoqata për të debatuar herë pas here me psikologë, edukatorë e mësues me përvojë për problemet edukative që hasin gjatë rritjes së fëmijëve të tyre edhe kur këta futen në adoleshencë e deri sa përfundojnë studimet e mesme.

Së fundi, edukimi i fëmijëve dhe i të rinjve, si proces i gjatë e kompleks, kërkon që prindërit ta përmirësojnë vazhdimisht figurën e tyre në sytë e fëmijëve duke mos harruar që ata janë prindër dhe jo shokë të fëmijëve, prandaj autoriteti i tyre, sigurisht elastik dhe i bazuar te dialogu, duhet ruajtur deri sa fëmijët ta marrin vetveten në dorëzim, pra, deri ditën kur, të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e tyre, ata të kenë fituar pavarësinë materiale e psikologjike, sidomos me t’u bërë vetë prindër.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top