Cila është arsyeja që duhet të mësoj gjuhë të huaja? Përse duhet t’u përkushtohem mësimit të gjuhëve të huaja? Këto pyetje i dëgjojmë shpesh të bëhen nga individë që vihen përpara faktit të të mësuarit të një gjuhe të huaj, shpesh të detyruar nga kërkesat e një vendi pune, jetesa në një vend tjetër apo ndonjë arsye tjetër.
Rëndësia e mësimit të gjuhëve të huaja nuk është vetëm në aspektin e komunikimit. Të mësuarit e një gjuhe të huaj sjell përfitime që shkojnë përtej të kuptuarit dhe realizimit të një bisede. Është vënë re se kur është mësuar një gjuhë e huaj dhe janë vënë bazat e gramatikës dhe fjalorit bëhet më e lehtë të mësuarit e një gjuhe të dytë.
Një person që flet dy gjuhë e ka më të lehtë të përthithë një informacion dhe është më krijues. Të mësuarit e një gjuhe të huaj ndikon në shëndetin tonë mendor. Për shembull, tek të moshuarit që flasin dhe një gjuhë tjetër përveç asaj vendase është vënë re që nuk kanë sëmundje të kujtesës pasi të mësuarit e një gjuhe ju ka stërvitur memorien dhe ju ka sjelle shume përfitime.
Nga studimet e fundit është treguar se të mësuarit e një gjuhe të huaj i bën njerëzit më tolerantë, përmirëson këndvështrimin e tyre dhe i bën që ta shohin botën me një sy tjetër. Këto kërkime shkencore kanë treguar se ekzistojnë disa lloje inteligjencash që janë të lidhura drejtpërdrejtë me të mësuarin e një gjuhe të huaj.
Inteligjencat praktike janë të ngjashme me ato sociale dhe e ndihmojnë individin jo vetëm të perceptojë një informacion por të dallojë dhe kuptojë ekuivalentë të ndryshëm kulturorë. Të mësuarit e një gjuhe të huaj të ndihmon në kuptimin e kulturave dhe analizimin e stereotipave (ose tejkalimin e tyre) si dhe jo vetëm në të kuptuarin e formave gjuhësore por ndikon edhe në mënyrën e të menduarit, të sjelljes dhe të vepruarit.
Të mësuarit e një gjuhë të huaj rrit tolerancën, i bën njerëzit që të mendojnë në mënyrë kritike dhe të duan të eksplorojnë të panjohurën. Kur mësohet një gjuhë e huaj rritet kurioziteti për t’u njohur me gjëra të reja dhe rritet toleranca ndërkulturore. Kur zhvillohet një bisedë në gjuhë të huaj përfshihen fjalë të njohura dhe të panjohura, fjalë që mund të kuptohen ose jo. Të dy bashkëbiseduesit mund të jenë të huaj ose jo, njëri mund të jetë folës vendas dhe tjetri i huaj. Kur fjalët nuk arrihen të kuptohen, ka tolerancë mes të dy bashkëbiseduesve dhe nuk krijohet parehati nga fjalët me të cilat nuk janë të familjarizuar. Individët që kanë eksperiencë me gjuhën e huaj kanë gjasa të sjellin risi në profesionin e tyre, të ndërmarrin iniciativa, të kenë kurajë dhe të mos kenë ankth social.
Megjithëse, në universitetet amerikane gjuha angleze është një gjuhë zyrtare dhe të gjithë e flasin atë . Studentët inkurajohen të mësojnë një gjuhë shtesë. Kjo i ndihmon ata të jenë tolerantët ndaj kulturave të ndryshme duke pasur këtu parasysh faktin që SHBA është një mozaik shtetesh dhe ka diversitet të madh kulturor.
Vlerat e një gjuhe të huaj nuk shfaqen vetëm në aspektin gjuhësor por edhe në atë psikologjik duke bërë të mundur ekzistencën e individëve tolerantë të cilët janë dhe do të jenë qytetarë të kësaj bote globale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.