Nëse sot njeh një person dashurohesh me të dhe vendos të ndërmarrësh hapin e rëndësishëm, të martohesh me të, konsideroje këtë ndjesi si të shenjtë dhe kultivoje deri në fund të jetës! Kështu do të kuptosh që kjo ndjenjë nuk do të mund të venitet kurrë. Dashuria është një ndjenjë që shtrihet në tri dimensione të mëdha si: intimiteti, pasioni dhe bashkëveprimi. Sasia e dashurisë që individi përjeton, varet nga përjetimi absolut i komponentëve të mësipërm dhe lloji i dashurisë që secili përjeton kundrejt partnerit tjetër. Sigurisht, nëse kjo dashuri finalizohet me martesë, në këtë rrugëtim të gjatë, dashuria përshkon faza të ndryshme, si pasojë e ndryshimit të kombinimeve të këtyre tri komponentëve. Përmasat e tyre ndryshojnë së bashku me kohën dhe marrëdhënien që vendos një i rritur me marrëdhënien romantike, apo romanticizmin në çift. Një marrëdhënie e bazuar vetëm në njërin prej komponentëve të mësipërm, është më e rriskuar se sa një tjetër që bazohet në dy apo tri elementë të kombinuar së bashku.
Marrëdhëniet e suksesshme ngjasojnë me një bashkëbisedim me dikë që ju admironi, besoni dhe nuk mund të qëndroni për shumë kohë pa të. Martesa në vetvete është një akt formal, që ligjërisht mban të bashkuar dy individë. Në fakt, ajo mund të konsiderohet më së miri një rrugëtim i gjatë me ngjarje të bukura, me të papritura jo të këndshme, por që gjithnjë kërkon mbështetjen dhe mirëkuptimin e të dy partnerëve. Është një marrëdhënie kundrejt së cilës duhet edhe të japësh ashtu sikurse kërkon të marrësh. Dashuria mes çiftit nuk duhet të perceptohet gjithnjë si çelësi për të zgjidhur çdo vështirësi. Në çift, secili ka identitetin dhe personalitetin e tij, ndaj është e nevojshme të kuptojmë, që martesa të ketë sukses, duhet ta pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi, pa dashur ta ndryshojmë dhe ta shndërrojmë atë në personin ideal.
Nëse ne pranojmë dhe modifikojmë veset e njëri-tjetrit, sigurisht me një mirëkuptim të dyanshëm, rrugëtimi ynë i përbashkët do të bëhet më i lehtë. Kjo arrihet falë kompromisit, i cili është ndihmësi kryesor për një çështje të tillë. Një marrëdhënie është e suksesshme gjithashtu, nëse mes dy partnerëve ka një komunikim të shëndetshëm, pra të vazhdueshëm, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë debati konstruktiv, i cili shpesh bëhet ndihmës për të marrë vendime të rëndësishme. Nëse partnerët nuk diskutojnë për nevojat, ndjenjat, intimitetin mes tyre, problemet, pakënaqësitë, atëherë një marrëdhënie është gjithnjë e riskuar.
Një çift mund të përjetojë edhe periudha të vështira gjatë bashkëjetesës së tij dhe kjo shpesh nxitet nga fakti që disa prej tyre e kanë të vështirë të pranojnë që, në fund të fundit, përpos të përbashkëtave që ata gjejnë mes njëri-tjetrit, ata janë dy persona të ndryshëm. Një fazë e rëndësishme për jetën e një çifti është ardhja në jetë e fëmijëve, një periudhë që kërkon bashkëveprim dhe mbështetje reciproke dhe, nëse nuk mungojnë këta dy elementë, atëherë kjo shndërrohet në periudhën më magjike të jetës së çiftit. Pikërisht në këtë moment arrini të kuptoni rëndësinë e familjes dhe dashurinë si një marrëdhënie të ndërsjellë. Por kur fëmijët rriten dhe kryesisht janë në periudhën e adoleshencës, çifti ndodhet përballë një faze tjetër të rëndësishme. Pasi në këtë periudhë edhe problemet marrin një dimension tjetër. Në këtë periudhë, partnerët duhet të krijojnë një marrëdhënie edhe më kompakte, duhet të jenë më të bashkuar e të dashuruar se kurrë, konfliktet mes njëri-tjetrit duhet t’ua lënë vendin mbështetjes e komunikimit mes tyre.
Problemet nuk duhet t’ju pengojnë të hiqni dorë kurrsesi nga intimiteti dhe shprehja e ndjenjave kundrejt njëri-tjetrit. Përballë çdo problemi, dashuria mes jush ju bën më të fortë për t’i bërë ballë çdolloj vështirësie, madje edhe fëmijët janë të prirë të ndërmarrin më pak apo aspak sjellje me risk.
Pasi edhe kjo fazë kalon, mbërrini në një fazë tjetër, në të cilën një pjesë prej jush ndihet i pafuqishëm, i lodhur për të rinisur një marrëdhënie me njëri-tjetrin, ku intimiteti, dashuria, pse jo dhe pasioni, ndoshta jo në dimensione të viteve më parë, të rifillojnë së funksionuari.
Periudha në të cilën fëmijët largohen nga shtëpia, për të studiuar apo për të ndërtuar jetën e tyre, njihet si koha ku çifti ripërjeton një muaj mjalti të dytë dhe pse të mos ndodhë në të vërtetë. Dhe që të ndodhë, duhet që të gjitha fazat që përmendëm më lart çifti t’i kalojë me sukses.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.