Një foshnje e sapolindur u gjet e pajetë. E braktisur pa dyshim. Titrat flash në televizionin informativ ma gërvishtën shpirtin atë mëngjes në dukje të qetë, që më shumë më kujtonte vjeshtën e afërt. Po pse? Pse pikërisht ajo? Pak ngjarje na mundojnë çdo ditë për të dëgjuar dhe të tjera?! Pse kaq vlerë ka jeta ende pa e nisur?! Si ka mundësi, nuk i mjaftojnë shoqërisë sonë të brishtë brenga të tilla, si: vrasjet brenda familjes, dhuna ndaj grave apo siç dëgjuam sërish, ndër më të rëndat, abuzimi i babait me të bijën për vite me radhë?!
Nuk do doja të mendoj keq, as ta gjykoja atë nënë. Por nuk mundem. Sepse ajo nuk e la foshnjën e saj në brefotrof, as ia “ngeci” në dorë dikujt me shpresën se në mos ai dikush tjetër do ta rriste. Ajo bëri më të keqen e mundshme. Nuk e abortoi në muajin e tretë, as të gjashtë. Por e lindi. Dhe pastaj e la të vdiste. A nuk është ky një krim?
Por mllefin e kam edhe me një të padenjë tjetër, që si gjithë padrejtësitë nuk i vlen shoqërisë. Me një dashakeq që përfiton nga seksi i dobët, duke e nënshtruar, përçmuar, fyer dhe ‘vrarë’ një femër, pa menduar që ajo është po aq femër sa është edhe nëna e tij, motra po e po. Kaq pak dashuri na rrethon?! Por të vijmë sërish te ngjarja.
Të braktisë foshnjën, për një nënë sigurisht është një tmerr i vërtetë. Mjerë kush e provon! E me siguri vetëm një rrethanë e fortë mund ta ketë çuar deri aty. Si kaloi mllefi i parë, mendova: “e gjora, ka dashur ta shpëtojë”. Absolutisht po. Ajo e ka dashur atë fëmijë, e mbajti nëntë muaj në bark. Nuk e abortoi në muajin e tretë, as në atë të gjashtë. I dha jetë. Për të jetuar sigurisht. Shpresoi ndoshta se dikush do ta ndihte, se i vogli, aty në pelena, në një vend të errët e pa dritë do të qante për të bërë të kthente kokën dikush, se ndoshta cilado qoftë rrethana, ai do të shpëtohej. Por fati mesa duket ishte i shkruar. Askush nuk e ndjeu, nuk e vu re, askush nuk e shpëtoi dot. Ai nuk mundi të mbijetojë.
E si do jetë ndjerë ajo nënë kur ka dëgjuar për lajmin? I kobshëm sa s’ka. Jam e bindur se do të jetë tronditur dhe ky krim i kryer në një çast dobësie do ta përndjekë gjithë jetën. Një lëndim i tillë do të më përndjekë dhe mua, si nënë, si grua, si pjesë e kësaj shoqërie që duhet të thellohet më shumë mbi atë se çfarë bëhet me jetën. Sot përçmimi ndaj jetës po shkon në masa ekstreme. Në një shoqëri kaq të vogël, dëgjojmë çdo ditë bëma që ia kalojnë njëra-tjetrës.
Ndaj duhet t’ia nisësh nga vetja! Një refleksion përkatës për secilin prej nesh. Një bisedë e nevojshme me veten për të analizuar në vazhdimësi atë çka ndodh me ne çdo ditë: vijmë në jetë për të jetuar, a e marrim atë që duam? Dhe nëse nuk arrijmë ta marrim, a duhet ta pranojmë këtë realitet të trishtë që vazhdimisht të godet? Absolutisht jo!.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.