Editorial

October 2, 2023 | 10:13

Nga Orjona Tresa / Askujt nuk ia kemi borxh ankthin dhe stresin

Globalizmi është thënë, ka pasojat e veta. Dëmi i adresohet kryesisht shëndetit psikologjik. Çfarë mund të bëjmë ne? T’i shmangemi, të mos e tolerojmë apo të jemi indiferentë? Vështirë t’i jepet një përkufizim i saktë. Janë shumë hallka të ndërlidhura me jetën njerëzore që reflektojnë në sjellje individuale, e për pasojë je i lidhur pashmangësisht me ndryshimin. Jemi pjesë e së tërës, të shkëputesh do të thotë të mos jesh faktor. Në fakt, është e drejtë të jesh i tillë!

Të gjithë kemi pjesën tonë të detyrimit, por dhe përvetësimit të asaj çfarë kemi mundur të vetëofrojmë. Nuk është një lojë, është normë, rregull që na e ka mësuar jeta, ndërsa po kaq ka vlerë ekuilibri që vendosim, apo zgjedhin të na e përcaktojnë në këtë bosht jete. Muaji tetor prej 12 vitesh është zgjedhur të jetë njëherësh muaj ndërgjegjësimi me fokus shëndetin psikologjik. Kjo datë e vendosur nga OBSH u adresohet mekanizmave të certifikuar të linjës të ndihmojnë sa më shumë në këtë drejtim me lehtësimin e shoqërisë, e cila sot ndihet që ka një ngarkesë emocionale shumë më të lartë. Presioni i fenomeneve të emigracionit, papunësisë, lëvizjet demografike, fenomenet natyrore, tërmetet, viruset pandemike, të gjitha kanë ndërhyrë në jetën e njeriut duke shtuar si rrjedhojë presionin psikologjik. E kjo ndihet në fytyrat e njerëzve, të mërzitur, ankthioz, shprehur gjithaq me sjellje stresi, ashpër e pa emocion.

Në Shqipëri, vendin tonë biologjik, të vogël por me asete të mëdha në të gjitha drejtimet, shqetësimet psikologjike janë të dukshme, të prekshme. Shkaqeve të sipërmendura i shtohet dhe zhbalancimi kulturor, i cili gjithnjë e më shumë është evident. Rënia e kësaj cilësie që deri dje e kishim shembull, sot shpreh dukshëm tabanin, ngarkesën e një sistemi që duket se nuk të çon asgjëkundi. Jo rastësisht, të rinjtë ekselentë dhe mesatarë nuk e gjejnë dot veten, duke zgjedhur të çlirohen nga zinxhirët e padijes. Edhe për mësuesit ndodh e njëjta sfidë, dhe ky është një qerthull psikologjik i dëmshëm. A e dini? Në kontakte të vazhdueshme me të rinj që studiojnë jashtë, apo mësues shqiptarë që punojnë andej, mirëqenia psikologjike është A-ja e jetës njerëzore. Dhe kjo nuk është aspak rastësore. Madje në fushata më të gjera ndërgjegjësimi se njëmujore, si në rastin e muajit tetor, grupet e interesit dhe politikat mbështetëse të qeverisë, kanë zgjedhur të lehtësojnë akoma më shumë mekanizmat mësimdhënës.

Shprehje janë alternimi i dijes me punën në grup, si praktikë në klasë dhe natyrë, por edhe me vlerësim mbështetës. Dhe e gjitha kjo e dini pse bëhet? Për të ruajtur shëndetin psikologjik nxënës-mësues, pikërisht në këto kohë të vështira për arsye që i lartpërmendëm. Edhe në shëndetësi, e njëjta situatë është reflektuar. Mbështetja ndaj personelit mjekësor është parë si domosdoshmëri për të zbutur presionin e bartur në tri vite pandemi. Sektorë të tjerë janë me në fokus të së njëjtës ndihmë, me rrethana lehtësuese. Le të përpiqemi dhe ne, në pamundësi për të funksionuar siç veprojnë shtetet e mëdha, të tregojmë solidaritetin mes njëri-tjetrit, për të lehtësuar aktivitetin tonë mendor, në përballje me ngjarje apo ndodhi që janë pjesë e jetës.

Le të tregojmë edhe një herë kurajën për të rigjetur forcën për të ecur përpara. Le të përdorim sedrën e mikpritjes, atë virtyt që fort na e lakojnë nëpër botë. Të gjithë mund të ndihmojmë në shëndetin psikologjik të gjithsecilit, familjarëve, miqve, kolegëve, duke e nisur nga vetja. Mjafton një buzëqeshje për të të ringritur moralin.

Mjafton një ftesë pozitive për të marrë me të mira veten dhe për të ndryshuar raportet e rrëzuara. Pranimi i asaj që në fakt na ka përfshirë të tërëve, është hapi i parë drejt një shërbimi që ju po i bëni mirëqenies tuaj!

Muaj të mbarë! . 

 

 

 

Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.184, muaj Tetor 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top