Para pak kohësh më ra në dorë një letërsi e veçantë, me një histori të jashtëzakonshme, e cila për dy orë më rrëmbeu drejt fundit të saj. “Autiku dhe pëllumbi”, një roman që shtëpia botuese “Pegi” solli jo pa qëllim për lexuesit shqiptarë. Gereti, djaloshi me aftësi ndryshe, kish një lidhje të bukur me artin, i cili me rritjen e tij u shndërrua në një profesion. Dhe ishte pikërisht talenti që e ndihmoi më tej të bënte një jetë normale, si gjithë të tjerët.
Në fakt, dëshmi të tilla ndihmojnë, jo thjesht si informacion, apo kënaqësi e marrë nga një letërsi e shkruar bukur, por mbi të gjitha, të një botëkuptimi mbresor nga ana e shkrimtarit, i cili depërton kaq mjeshtërisht në skutat e një personazhi jetësor ndryshe. Në këtë mënyrë autori na transmeton të zbërthyer qenësinë dhe forcën e një personazhi pikërisht prej talentit mahnitës që ai ka. Një roman ndryshe për të njohur më nga afër, atë që kushdo brenda vetes mund ta ketë, një veti, një aftësi që na bën të veçantë, por njëkohësisht të njëjtë me tjetrin.
Gereti është biri autik i një nëne të alkoolizuar, Zhaninës. Ajo nuk e di kush është babai i tij, kështu që bëhet për të nënë, baba, gjyshe e gjysh, ndërsa ai kthehet në qendrën e jetës së saj. Djali ka një mendje të jashtëzakonshme, të dëlirë e të pafajshme, si dhe një zhvillim gjuhësor të habitshëm: ai e merrte gjithçka fjalë për fjalë, sikurse i thuhej. Atij i pëlqen të çmontojë e të montojë përsëri objekte të ndryshme, e në këtë mënyrë zbulon talentin e tij për të ndërtuar violina. Kjo gjë do ta bëjë atë të famshëm në tërë botën.
Kur Gereti largohet nga shtëpia për të jetuar vetëm, ai krijon një lidhje të çuditshme me një pëllumb postar, nëpërmjet të cilit arrin të njohë njerëz të ndryshëm falë udhëtimeve dhe kthimeve të tij. Njëri prej këtyre udhëtimeve do ta ndryshojë përgjithmonë jetën e Geretit. Me këtë roman, shkrimtari me origjinë irakiane, Rodaan Al Galidi u shpall fitues i Çmimit Europian për Letërsinë në vitin 2011.
Është pikërisht ajo lloj letërsie ku hap pas hapi, apo faqe pas faqeje zbulohet mënyra se si sillemi në një botë ku nuk jemi pjesë e përkufizimit gjithnjë e më shtrëngues të “normalitetit”. Autizmi është një situatë të cilën më së shumti e vuajnë familjarët. Është si të thuash një ngjarje që shënon ditët e vështira të jetës në një rrugëtim pa krye. E sikur të mos mjaftojë kjo, përpjekjet e vazhdueshme dhe gjithherët përballja ekonomike për të krijuar hapësira rehabilituese, është mentaliteti shoqëror ai “vrasësi i heshtur” që të mbyt me gjykimet, komentet, duke shkuar deri në shkeljen e të drejtave sociale për kategori të tilla.
Ndaj, përkrahja, të mësuarit të fëmijëve se edhe ata janë si gjithë të tjerët e kanë nevojë për mbështetje, është këshilla më e vyer. Ose më e pakta, të mos i lëndojmë, por të tregohemi të vullnetshëm për t’i respektuar në kufijtë e duhur të mirësjelljes.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.