E premte, 23 shkurt 2024. Rreth 70 metra larg banesës së tij, kryefamiljari i shtëpisë do të gjendej i groposur. Babai i një familjeje të madhe në Shënavlash të Durrësit, rezultonte i humbur prej një jave. Ka qenë njëri prej djemve që ka bërë njoftimin në autoritetet policore, më 13 shkurt ora 22:30, në ndihmë të gjetjes së tij. Nuk ka zgjatur shumë dhe bashkëpunimi me Sektorin e Krimeve të Rënda në Policinë e qytetit pas 10 ditësh ka zbardhur ngjarjen.
Pëllumb Meta, 49 vjeç, u gjet mëngjesin e kësaj të premteje në oborrin e shtëpisë së tij i varrosur. Sipas autoriteteve policore, krimin e mori përsipër vajza e viktimës, 19-vjeçarja Hygerta.
Kushdo ka dëgjuar njoftimet e para mediatike para ekranit apo pajisjeve inteligjente ka mësuar se e bija pranoi aktin, me arsyen se babai donte ta fejonte pa dëshirën e saj.
Por hetimet e mëtejshme nxorrën të tjera fakte.
Mësohet se autor i ngjarjes ka qenë vëllai i saj, Hysen Meta dhe se krimi i paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhe më pas kanë transportuar trupin e pajetë të babait të tyre duke e varrosur pranë një kasolleje në oborr.
Në banesë u gjet edhe një predhë e armës së zjarrit me të cilën ishte kryer krimi. Në polici, autorët kanë deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë debatet familjare që kanë pasur dhe nxitja e babait që vajza e tij të fejohej me një person kundër dëshirës së saj.
Policia njoftoi se edhe bashkëshortja e të ndjerit është marrë në hetim, në gjendje të lirë, në dijeni të çfarë kishin bërë fëmijët.
Mund të duket absurde në kushtet kur tre të rinj, dy vëllezër dhe një motër, të bënin këtë akt të tmerrshëm kundrejt babait të tyre.
Por nga ana tjetër ka dhe plot të tjerë të cilët aludojnë se përse u arrit në këtë akt ekstrem.
Le ta shpjegojmë këtë ngjarje me gjuhën e ekspertëve të fushës, të cilët na ndihmojnë të kuptojmë më shumë.
Teksa kërkoja shpjegime, ndalem në një shkrim analizë mbi Parricidin, term që ka të bëjë me vrasjet brenda familjes apo të afërmve të një gjaku. Cristina Brasi, psikologe, kriminologe në diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të personalitetit dhe seksologjisë tipike dhe atipike thekson se: “dallimet kryesore që mund të njihen në parricidet (vrasje e qëllimshme e babait, nënës, bashkëshortit, fëmijëve dhe/ose të afërmve të ngushtë) kanë të bëjnë motivet që nxisin aktin, llojin e armës së përdorur dhe situatën familjare në tërësi. Konkretisht, të rriturit që kryejnë vrasje në përgjithësi do të kishin një çrregullim mendor, siç është skizofrenia, e cila do të çonte në një shtrembërim të realitetit që do të ndikonte në testimin e të dhënave në vendndodhje. Shpesh ka një histori sjelljeje të dhunshme dhe raportime në qendrat psikiatrike” thekson psikologia.
19-vjeçarja, studente në degën Administrim Biznes në Tiranë e pranoi krimin. Ajo ka thënë para hetuesve se e ka vrarë të atin me armë zjarri në kasollen e lopës. Më pas e ka varrosur në oborrin e banesës në fshatin Shënavlash të Durrësit. E reja e ka pranuar krimin duke deklaruar në polici se i ati e kishte detyruar që të fejohet pa dëshirën e saj dhe madje ka çuar grupin hetimor drejt vendit ku ishte varrosur babai. Por pas këtij krimi ka shumë pikëpyetje që duhen zbardhur.
Në fakt, siç thekson Brasi, “Në shumicën e rasteve, këta fëmijë veprojnë si pasojë e abuzimit dhe keqtrajtimit nga njëri ose të dy prindërit, me qëllim mbrojtjen e vetes ose të anëtarëve të tjerë të familjes”.
Karakteristikat kryesore të parricidit mund të gjurmohen në tre grupe kryesore: parricide nga çrregullime mendore, parricide nga personaliteti antisocial dhe parricide nga të miturit e dhunuar. Këto tre lloje nuk janë reciprokisht ekskluzive, shpesh do të shfaqej një çrregullim mendor, për shembull, si pasojë e abuzimit të zgjatur. Trauma e fëmijërisë mund të shkaktojë një çrregullim të përgjigjes ndaj stresit, i cili do të favorizonte zhvillimin e strategjive të përballimit jo-përshtatës, me një gjasë më të madhe për të zhvilluar çrregullime të personalitetit.
Për sa i përket armës së përdorur, ndërsa të rriturit preferojnë armët me tehe, adoleshentët zgjedhin më shpesh armët e zjarrit, pasi kanë një aftësi të reduktuar në krahasim me një të rritur për të dominuar prindin e tyre, për shkak të pabarazisë fizike, thotë psikologia. Për të njëjtën arsye, vrasjet e adoleshentëve, në vend që të përfshihen në një konfrontim të drejtpërdrejtë, ndodhin në një situatë jo konfliktuale, në mënyrë që prindërit të kenë pak shanse për t’u mbrojtur.
Një tjetër psikolog, Leonard Berkowitz, i cilëson krimet brenda familjes nga fëmijët si “përvoja negative me kujtimet dhe emocionet e tyre, ato që përcaktojnë një tendencë ndaj reagimeve të dhunshme ose të arratisjes dhe, në kontekstin mjedisor, ka shenja agresive që mund të inkurajojnë këtë lloj sjelljeje, duke përfshirë praninë e një arme, në një vend të mbyllur, ai që quhet efekti i armës, temperatura shumë të larta ose të ulëta dhe zhurma shumë të forta. Mbi të gjitha, efekti i armës duhet të lidhet me shkaqet që lehtësojnë krimin e parricidit pasi prania e armëve në shtëpi dhe lehtësisht e aksesueshme është konstante në shumë studime të kryera për këtë lloj krimi”.
Si në çdo rast tjetër të vrasjes, çështjet e parricidit trajtohen në ligjin penal të një vendi specifik dhe procesi gjyqësor mund të ndryshojë në varësi të legjislacionit të vendit të caktuar. Në përgjithësi, parricidi trajtohet si një krim i rëndë penal dhe personi i akuzuar për një akt të tillë përballet me akuza ligjore të përputhshme për vrasje ose ndonjë akuzë specifike për parricid nëse ekziston një dispozitë specifike në ligjin penal të vendit të caktuar.
Parandalimi i parricidit është një sfidë komplekse dhe përfshin një gamë të gjerë të strategjive dhe masave. Disa nga strategjitë mund të përfshijnë:
- Edukimi dhe ndërgjegjësimi i popullsisë: Informimi i njerëzve për shkaqet dhe pasoja të vrasjes së një prindi mund të ndihmojë në parandalimin e këtij veprimi. Përfshirja e kësaj teme në programet e edukimit dhe ndërgjegjësimit shoqëror mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e respektimit të jetës së anëtarëve të tyre të familjes.
- Mbështetja për shëndetin mendor: Traumat e shumta, stresi, dhe sëmundjet mendore si depresioni dhe shqetësimi i rëndë emocional mund të kontribuojnë në rritjen e rrezikut të parricidit. Ndihma profesionale dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor për trajtimin dhe menaxhimin e këtyre çështjeve mund të jenë të rëndësishme për parandalimin e parricidit.
- Monitorimi i rrethanave të rrezikshme: Identifikimi i rrethanave dhe shenjave paralajmëruese që mund të tregojnë për një rritje të rrezikut të parricidit, siç janë kërcënime të vazhdueshme, dhunë fizike ose emocionale, dhe ndryshime të mprehta në sjellje, mund të ndihmojë në parandalimin e një akti të tillë tragjik.
- Intervenimi profesional: Përfshirja e autoriteteve të ndryshme profesionale, si policia, punonjësit socialë, dhe terapistët, mund të jetë e rëndësishme në adresimin e situatave të tensionuara dhe parandalimin e eskalimit të tyre në aktet e dhunës familjare.
- Lehtësimi i qasjes në shërbimet e ndihmës: Sigurimi i qasjes së lehtë në burimet dhe shërbimet e ndihmës për individët dhe familjet që ndodhen në situata të vështira ose të rrezikshme mund të ndihmojë në parandalimin e parricidit duke ofruar mbështetje dhe resurse për menaxhimin e konflikteve dhe shqetësimeve të tyre.
Parricidi
Origjina e këtij termi ka rrënjë të hershme në historinë e mjeteve të drejtësisë dhe kulturës së shekujve të shkuar. Për shembull, në periudhën e lashtë romake, “parricidium” ishte një krim i rëndë që përfshinte vrasjen e një prindit apo një anëtari tjetër të ngushtë të familjes. Kjo klasifikohet si një krim i rëndë për shkak të marrëdhënieve të ngushta familjare dhe rëndësisë së strukturës së familjes në shoqërinë e atëhershme.
Nëpërmjet historisë dhe mitologjisë, ka shumë shembuj të parricidit që shërbejnë si tema të përbashkëta në art dhe kulturë. Për shembull, në mitologjinë greke, Oresti ishte një figurë e njohur për parricidin e prindit të tij, Agamemnonit. Kjo ngjarje ka qenë subjekt i shumë dramave dhe veprave artistike nëpër shekuj.
Në të vërtetë, tema e parricidit është e përhapur nëpër shumë kultura dhe periudha historike, duke u shfaqur në mitologji, letërsi, art dhe diskutime filozofike. Kjo reflekton interesin e njerëzimit për marrëdhëniet familjare, etikën, dhe psikologjinë e krimeve të tilla të rënda.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.