Editorial

December 1, 2022 | 9:15

Nga Orjona Tresa / Dhurata më e bukur e fundvitit!

Mirësevjen dhjetor! Muaj që na fton në rrjedhën për të gëzuar takimet e fundit me vitin që lëmë pas, por po kaq, një periudhë nxitimi për të realizuar dhuratat e një kujtimi që do të mbesë gjatë në memorie. Plot të tilla, të bëra me dashuri, i kujtojmë me nostalgji gjatë festave, si pjesë e një udhëtimi të pandashëm për sa kohë kujtesa na lejon t’i fiksojmë.

Nga Orjona Tresa, gazetare 

Sot dhuratat janë katapultuar në një perceptim krejt ndryshe nga ajo që u edukuan më herët brezat para këtij mijëvjeçari. Që nga kartolinat e punuara me dorë, trikot e ngrohta të punuara nga duart e nënave apo gjysheve tona. Pa harruar telegramet që pothuaj çdo familje dërgonte në familjet e tyre bazë. Nga veriu e deri në jug të vendit. Ishin urime të pafundme drejtuar djalit që festonte ndryshe në krye të shërbimit ushtarak, mjekut të përkushtuar në orarin e ndërrimit të viteve, fëmijëve në shtëpitë e foshnjave, shtëpive të të moshuarve, etj., duke transmetuar përkujdesje dhe shumë dashuri në dhjetorin festiv.

Sot këto ide dhuratash duken si demode, por krahasuar me vlerën e një urimi elektronik, zënë tjetër vend. Janë të çmuara, sepse përfshijnë jo vetëm përkushtimin fizik, por mbi të gjitha atë shpirtëror, emocional. Një mesazh në inboksin e celularit apo imeilit ndodh ta kapërcesh pa e vërë re, ose vetëm pasi ke parë urimin klishe, i cili dërgohet shabllon në bllok, pa përdorur emrin atij që i drejtohesh. Një urim i përgjithshëm pa kurrfarë ndjesie, që siç vjen sa për të bërë adetin, ashtu zbehet, pasi e ke fshirë sepse nuk ishte gjëkundi emri kujt i drejtohej. Rikthimi i dhuratave të vjetra e bëjnë edhe më të bukur atmosferën. Pse jo dhe të domosdoshme, përmes prekjes reale të atyre vlerave që përcillnin mesazhe të rëndësishme. 

Sot, jemi më të largët me njëri-tjetrin, kënaqemi kur e bëjmë dikë të vuajë dhe lëndohemi pasi i kemi dhënë pikën e vlimit. Pavërtetësia e të jetuarit thjeshtë na ka shndërruar në njerëz më të ashpër, dukendërtuar mure vetmie. Pandemia na dha një mësim, ndoshta mësimi më i vlefshëm për të ridimensionuar jetën, për të qëndruar me këmbë në tokë dhe për ta parë botën reale me lupën e forcës dhe vazhdimësisë për jetën. Pavarësisht paralelizmave mbi ekonominë e dobët të tregut tonë krahasuar me vendet e zhvilluara, sot ne nuk arrijmë të kuptojmë se jemi shumë herë më të varfër shpirtërisht. Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi ynë u përball me krizën e bukës.

E vërtetë, të gjithë ishin njësoj, por para fëmijëve që mbetën edhe pa prindër, situata ishte e frikshme. U hapën Shtëpitë e para të Foshnjave, për të strehuar, rritur dhe edukuar një brez që traumën zor se mund ta kalonte. E megjithatë, një rend shoqëror i asaj kohe tregoi humanizmin dhe vlerën e jetës paralele. Në kujtesë të prindërve të mi, familjet e të cilëve gjithashtu kishin dalë nga lufta ashtu si shumë të tjerë, të varfër, çdo të shtunë e kishin shndërruar në një model shembull. Merrnin nga Shtëpitë e Foshnjeve, përkatësisht në Tiranë dhe Elbasan, nga një bashkëmoshatar/e për të kaluar ditën e pushimit bashkë. Kështu vepronin shumica. Kishte dhe nga ato familje që i birësuan, shpirtmëdhenj dhe humanistë për gjestin e tyre. Ishin zemërmëdhenj. Vinin nga lufta që i kishte dërrmuar. Duhej të jetonin lirinë, e këtë të kuptuar në dobinë që uniteti sillte.

Sot… ah sot! Egoizmi u ka veshur sytë njerëzve. Dhe nëse bëhet një dhuratë me kast, për festë ose jo, ka diçka tjetër që fshihet pas. Interesi/interesat po e mbysin këtë vend, pa lënë vend për njerëzoren, të cilën po e humbasin çdo ditë. Është me vend një mea culpa me veten, me shpirtin tuaj. Mos e shuani flakën e shpresës, zgjojini zemrat, falni dashuri. Edhe nëse nuk keni të ardhura të bëni dhurata, mbi të gjitha, dhuroni fjalë zemre. Ky është shpërblimi më i mirë për të jetuar më së miri jetën!

 

 

Botuar tek Revista “Psikologjia”, Nr.174, muaji dhjetor

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top