Editorial

December 10, 2025 | 11:38

Nga Orjona Tresa: Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut, Shqipëria dhe sfida e papërfunduar e respektimit të dinjitetit njerëzor

 

Çdo 10 dhjetor bota përçon mesazhe reflektimi mbi një parim që duket i thjeshtë, por që mbetet i vështirë për t’u garantuar, dinjitetin e çdo individi. Është “Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut”, të cilën shpesh e festojmë  me slogane, fjalime e deklarata, por pyetja themelore mbetet e njëjtë: a respektohen realisht të drejtat e njeriut sot, sidomos në Shqipëri?

dita-boterore-e-te-drejtave-te-njeriut

Realiteti ynë shoqëror është i trazuar. Nga njëra anë kemi një kuadër ligjor modern, të afërt me standardet evropiane. Nga ana tjetër, ndeshim një praktikë ku këto të drejta shpesh mbeten vetëm në letër. Shpërfillja e lirive themelore, vonesat në drejtësi, dhuna në familje, korrupsioni institucional dhe mungesa e përgjegjshmërisë publike krijojnë një panoramë ku e drejta njerëzore nuk është gjithmonë e garantuar, por shpesh e cenuar.

Arsimi, Drejtësia dhe Shëndetësia janë tre shtyllat kryesore të jetës shoqërore, por sot ato duken si hallka të një zinxhiri të rënduar problemi, ku secila ushqen tjetrën në një cikël të dhimbshëm shkak–pasojë. Kur fëmijët nuk duan të shkojnë në shkollë, nuk është sepse nuk duan të mësojnë, është sepse ndihen të pambështetur, të pakuptuar, pa ndjeshmërinë që u takon. Kush ka një fëmijë në shkollë, e di mirë për çfarë flas: momentet kur mësuesi, në vend të inkurajimit, lëshon një fjalë që plagos “shko, se ti s’bëhesh kurrë njeri”, ose kur një fëmijë që kërkon sqarim dëgjon “e shpjegova një herë, ku e kishe mendjen?”. Dhe ndoshta më e dhimbshme nga të gjitha është përjashtimi i fëmijës nga aktivitetet, duke favorizuar gjithmonë të njëjtin grup “të përzgjedhurish”, sikur vlera e një fëmije matet me statusin apo me origjinën e tij. Ky është diskriminim i pastër. Në Shqipëri, dinjiteti i fëmijës shpesh shkelet, thjesht sepse është më i vogël, sepse vjen nga një zonë periferike, ka prejardhje të ndryshme, apo më e trishta, sepse vjen nga një familje e varfër. Mos u çuditni kur i dëgjoni këto! Janë realitet.

Dhe nëse kështu trajtohen fëmijët, imagjinoni çfarë ndodh me të rriturit, me pacientët e shëndetësisë në këtë rast. Shumë prej tyre përballen me mjekë që as nuk e kthejnë kokën, me radhë që nuk lëvizin sepse kalojnë “me mik” dhjetë a pesëmbëdhjetë të tjerë, e madje me spitale publike ku respekti vjen vetëm pas një zarfi të futur nën dorë. Dhe kështu, sistemi që duhet të mbrojë dinjitetin e njeriut, e nëpërkëmb atë çdo ditë.

Dhe pastaj është gruaja, forca më e butë dhe më e fortë njëkohësisht, zemra që mban peshën e jetës. Si ndihet ajo në një shoqëri ku barazia gjinore ende ngec, që në familje, në komunitet, në çdo hapësirë ku ajo jeton e punon? Mjafton të hedhësh një vështrim të sinqertë rreth e qark për ta kuptuar. Që në shtëpi, barra e përgjegjësive bie kryesisht mbi të, përveç angazhimeve profesionale që kërkojnë të njëjtën energji, të njëjtën kohë, por shpesh jo të njëjtën pagesë. Në punë, ajo ende vlerësohet më pak se kolegët burra; në kohën e lirë, fëmijët dhe shtëpia i marrin asaj pjesën më të madhe të ditës, ndërsa kafenetë janë plot me gjininë tjetër, ata, burrat, që e kanë luksin e pushimit. Në radhët e supermarketeve, shërbimeve, bizneseve, janë sërish gratë që presin, që kërkojnë, që zgjidhin. Në punët e rrugës, pastrimit dhe shërbimit, më shpesh shikon gra, ndërsa burrat shpesh qëndrojnë në rolin e vëzhguesit, të mbikëqyrësit.

E drejta e njeriut… një fjalë e madhe, por ende një rrugëtim i gjatë për t’u bërë realitet i përditshëm për gjysmën e shoqërisë sonë.

te-drejtat-boterore-te-njeriut

A dimë ta respektojmë njëri-tjetrin?

Shqipëria vuan nga një krizë e thellë e kulturës civile. Nuk është vetëm mungesa e respektit në hapësirat publike, por ajo që qëndron më poshtë: mungesa e edukimit qytetar, e gatishmërisë për të kuptuar kufijtë e tjetrit, e tolerancës dhe përgjegjësisë. Prindër që edukimin e zëvendësojnë me tabletin apo telefonin, që ia plotësojnë të gjitha tekat pas një çjerrjeje të gjatë dhe acaruese në rrugë apo shërbime publike; por ka edhe gjyshër që edukimin qytetar e kanë të çalë, sepse në një shoqëri ku respekti shihet si e metë, nuk ka se si të funksionojë si e drejtë. Jo më larg se një ndodhi ditore në një autobus urban, të rrallë janë ata individë që përshëndesin shoferin ose fatorinon, dhe të rrallë këta dy punonjës shërbimi të ta kthejnë me të njëjtën monedhë. Një shoqëri që nuk respekton hapësirat e njëri-tjetrit, vështirë se mund të respektojë të drejtat e njëri-tjetrit. Ky boshllëk në kulturën civile krijon një terren ku manipulimi, abuzimi dhe shkeljet e të drejtave bëhen gati të padukshme, sepse perceptohen si “normale”. Në një shoqëri ku përgjegjësia kolektive është e ulët, ku dialogu zëvendësohet nga dhuna verbale, ku e vërteta relative zë vendin e fakteve, cilësia e të drejtave bie. Të drejtat nuk janë vetëm çështje ligjore, ato janë kulturë. Dhe kur kultura qytetare është e brishtë, edhe të drejtat bëhen të brishta. Në diskutimin publik shqiptar shpesh shihet një paradoks: përdoret gjerësisht si slogan, ndërsa në realitet shpesh neglizhohet thelbi i tij. Ka raste kur individë, grupe apo edhe institucione e përdorin këtë koncept si mburojë për të shmangur përgjegjësinë, për të justifikuar sjellje abuzive, apo për të mohuar detyrimet ndaj shoqërisë. E ndërkohë, në Shqipëri ka krime të pandëshkuara, dhunë të pahetuar, korrupsion të paadresuar, ku realisht viktimat mbeten pa të drejtë. Në këto kushte, fjala “të drejta të njeriut” nuk duhet të përdoret si alibi, por si një standard që mangësitë tona duhet ta arrijnë.

 

Shëndeti mendor, tragjedia që askush nuk e prek

Shëndeti mendor është një nga plagët më të mëdha të kohës sonë, dhe megjithatë ne flasim pak, trajtojmë pak, kurojmë edhe më pak. Të rinj të rraskapitur nga ankthi. Të moshuar të vetmuar. Njerëz me probleme të rënda psikike që nuk diagnostikohen kurrë. Familje që vuajnë në heshtje. Institucionet tona të shëndetit mendor shpesh janë të papërgatitura, të tejmbushura, të mbingarkuara. Dhe prapë ne flasim për “të drejtat e njeriut” sikur ato të drejta mund të ekzistojnë në një shoqëri që nuk e mbron mendjen dhe shpirtin e qytetarëve të vet.

 

Kur qeveria bëhet pengesë

Institucionet duhet të jenë garanci, jo pengesë. Por shpesh shohim se proceset e rëndësishme, nga drejtësia, tek shëndeti, tek kontrolli i zbatimit të ligjit, ngadalësohen, bllokohen ose deformohen nga mungesa e transparencës, interesat politike apo indiferenca. Një qeveri që nuk krijon mekanizma funksionalë për mbrojtjen e të drejtave, në mënyrë të tërthortë kthehet në pengesë për to. Çfarë duhet të ndryshojë?

Në fund të fundit, të drejtat e njeriut nuk fillojnë në qeveri, as në ligje, as në deklarata. Fillojnë te ne. Te mënyra si flasim me njëri-tjetrin. Si e shohim një të panjohur në rrugë. Si trajtojmë njeriun e dobët, të pambrojtur, të heshtur. Ndaj duhet:

më shumë kulturë qytetare dhe respekt të ndërsjellë,

institucione më transparente e përgjegjëse,

drejtësi efektive,

shëndet mendor të trajtuar si prioritet kombëtar,

një shoqëri që nuk abuzon me konceptin e të drejtave, por e respekton atë.

E drejta e njeriut fillon atje ku ne fillojmë të respektojmë njëri-tjetrin, jo në letër, por në jetën e përditshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top