Aktualitet

August 25, 2025 | 12:25

Nga Orjona Tresa: Dy engjëj më pak në këtë botë, dy yje më shumë në qiell. Por edhe sa të tjerë do shuhen nga papërgjegjshmëria, arroganca dhe pandëshkueshmëria që ka zënë rrënjë në këtë vend të lodhur?

 

 

Dy motrat nga Delvina, Elvisa dhe Rozina Dhimaku, vetëm 22 dhe 20 vjeçe, nuk janë më. U shkëputën nga jeta mizorisht, papritur, nga një aksident fatal që nuk ishte rastësi, por pasojë e një sjelljeje kriminale: një 23-vjeçar, Kevin Norra, i dehur dhe me përvojë të përsëritur në shkelje trafiku, u bë shkaktari që ua preu jetën në mes. Ndërsa ato nuk jetojnë më, ai është i lirë. Dhe nuk është hera e parë që si ai, vrasin me makina, pa pasur as një grimë frike nga ligji. Sepse, për fat të keq, në Shqipëri, ligji trembet nga makinat e shtrenjta. Nga mbiemrat. Nga telefonatat.

elvisa-dhe-rozina-dhimaku

A mund ta pranojmë më këtë si realitet? A do të vazhdojmë të ulim kokën, ndërsa të pafajshmit bien në rrugë si të ishin kafshë pa zot?

Ky nuk është thjesht një aksident. Është vrasje. Vrasje e paralajmëruar. E mbuluar me justifikime. E shpërlarë nga raportimet me fjalë sterile: “i dehur”, “e humbi kontrollin”, “është arrestuar”. Dhe pastaj? A do të harrohet nesër, siç janë harruar qindra të tjerë?

Ku është drejtësia? Kush do mbajë përgjegjësi për jetët e humbura, për zemrat e thërrmuara të prindërve, të motrave e vëllezërve që nuk do të shohin më të dashurit e tyre?

Çdo ditë dëgjojmë për viktima të rrugëve, jo prej fatit, por prej papërgjegjshmërisë së atyre që përdorin timonin si armë. Ata që zbresin në rrugë me makina si tanke, me muzikë që ulërin, me shpejtësi që shpon ajrin, me një arrogancë që sfidon gjithçka përreth.

Kemi frikë të ecim në rrugë. Kemi frikë për fëmijët tanë. Kemi frikë nga ata që i kthejnë rrugët në pista gare, dhe nga shteti që rri si spektator.

Policia? E kemi parë sesi tërhiqet përpara “trimave” me makina luksoze. Si ndalet për të ndëshkuar ndonjë qytetar të thjeshtë, por hesht kur përballë ka “dikë që ka miqtë e duhur”. E kemi parë sesi ndihmon kortezhet qeveritare të kalojnë përmes qytetarëve të bllokuar me dhunë e arrogancë.

Drejtësia jonë është e verbër, por jo ndaj të fortëve. Ajo mbyll sytë nga frika. Nga urdhrat. Nga korrupsioni. Dhe ne, qytetarët e thjeshtë, paguajmë me jetë.

Rruga drejt hyrjes së Elbasanit, (ku ngushtohet autostrada) një shembull i përditshëm i ferrit në asfalt. Kalojnë motorra dhe makina si në filmat aksion, mes qyteteve e lagjeve. Askush nuk ndalohet. Askush nuk dënohet. Sepse nuk ka sistem. Nuk ka vullnet. Nuk ka frikë nga ndëshkimi.

Na ka lodhur kjo padrejtësi. Na ka zënë frymën.

Nuk na duhen më gjoba që fryjnë arkat e shtetit, por ligje që shpojnë makutërinë dhe pandëshkueshmërinë. Nuk na duhen më shfaqje mediatike pas çdo aksidenti, por reforma rrënjësore që ndalon vrasjet me makinë. Vrasësit e rinj kanë ndërruar armën, tani përdorin timonin.

aksidenti-sarande-vdesin-dy-motrat

Deri kur? A do të presim të na vijë radha, apo do të zgjohemi përpara se të jetë vonë për dikë tjetër?

Kjo nuk është vetëm një tragjedi për dy motra të reja. Kjo është një piskamë kolektive. Është një kambanë që bie për të gjithë. Dhe që nuk mund ta injorojmë më.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top