Një e mirë e domosdoshme. Është bekim. Familja si kult i gjithçkaje. Është si frymëmarrja, pa të cilën asnjë sekondë nuk merr vlerën e të jetuarit. Thonë se krahasimet çalojnë, por në këtë rast thënia zhvlerësohet. Sepse familje në rastin më të ngushtë do të thotë bashkëshortë dhe fëmijë, e për t’i dhënë më shumë frymëmarje, ka dhe pjesëtarë të tjerë të rëndësishëm që gjithashtu janë pjesë e një familjeje. Por, nuk do të flasim për familjen e madhe, por për bërthamën, aty ku nis të krijohet familja.
Nga Orjona Tresa, gazetare
Familja na bën të jetojmë të lumtur, me shpresë, me guximin dhe motivimin e besueshmërisë se e nesërmja do të jetë muza që do t’i bëjë ditët tona të ndriçojnë. Dhe këtu është e nevojshme të citoj atë çfarë ka thënë shenjtorja shqiptare Nënë Tereza: “Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde!”.
Për mbrojtjen e familjes janë marrë nisma të herëpashershme, sepse jo pak ajo ka qenë e rrezikuar në vitet e një liberalizmi të tejskajshëm, ku kanë ngritur kokë platforma të cilat kanë dashur mosekzistencën e saj. Por askush nuk ka arritur ta shkatërrojë. Sepse lufta për ta mbajtur familjen të bashkuar ka qenë gjithmonë më e madhe, më e paepur dhe më vetmohuese. Familja është ajo thirrja e brendshme që të dikton në rrugëtimin drejt shtigjeve të panjohura. Është ajo që ngjall arsyetimin, që ngacmon sedrën për të marrë vendimet e duhura në jetë. Është ritmi që na ekuilibron dhe na bën të hedhim hapa të sigurt. Familja është zemra jonë. Aritmia e saj sjell ankthin e emocionit për jetën, duke krijuar dukshëm probleme sa në sistemin mendor, po aq sa dhe në atë kardiak. Nëse e kemi familjen mirë, të bashkuar dhe solide, kemi një ditë të qetë shoqërore. Ajo nis nga mëngjesi. Një mëngjes i vrullshëm por aspak i ngarkuar.
Sepse ngarkesa rrjedh lehtë për ta nisur ditën mbarë, duke falur njëherësh dashurinë në organizimin përkushtues për njëri-tjetrin, anëtarë të së njëjtës strehë. Për të vijuar me angazhimin profesional. Në punë jemi më të organizuar, sillemi ngrohtë me kolegët por dhe me drejtuesit. Jemi empatikë, i duam të tjerët njësoj, madje duam t’i shohim ata harmonikë, ashtu siç e përjetojmë ne jetën tonë, të lumtur në familje. Është shumë e rëndësishme se si të bën të ndihesh familja jote. Është shembulli! Ai reflektohet, ndaj dhe duhet të bëjmë kujdes ndaj paqartësive apo pakënaqësive të befta. Natyrisht, në një familje të gjallë e plot jetë ka grindje, zënka, mëri, por asnjëra nga këto nuk duhet t’ia zhbëjë vlerën e vërtetë që ajo bart.
Sepse në fund të fundit familja është familje, dhe nëse ikën i zemëruar prej saj sërish do të kthehesh në të njëjtën vatër kokëulur. Sepse është i vetmi vend ku të gjithë të duan pa interes, dhe kjo është dashuri që të mungon kur nuk je në gjirin e saj.
Në altar shprehja e famshme bekuese “në të mirë dhe në të keq bashkë” nuk është rastësore. Ajo do të thotë maturi. Do të thotë të përpiqesh drejt zgjidhjes së shëndetshme, e cila është e mundimshme, por jo t’i biesh shkurt e të rrënosh gjithçka që ngrite mbi Dashurinë e Madhe. Prandaj bëhet aq luftë që familja të jetë gjithmonë e bashkuar.
Prandaj dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 15 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes. Por dhe pa këtë ditë sensibilizuese, dhe pa një aktivitet tjetër ndërgjegjësues, njeriu vetë, qoftë dhe në mënyrë instinktive është drejtuar gjithmonë nga familja. Dhe në përplasjet e mëdha mes furtunash ajo ka arritur t’ia dalë gjithmonë e të mbetet po ajo, qysh prej fillimit të saj.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.179, muaji Maj
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.