Editorial

March 1, 2024 | 6:15

Nga Orjona Tresa: Humanoidët dhe humanizmi

 

 

Humanizmi, ashtu siç dominon në çaste të caktuara dhe i bën njerëzit bashkë për të përballuar një fatkeqësi të madhe, po aq dhe braktiset e bëhet si një njollë turpi, kur flitet për të marrë territore në emër të supermacisë.

orjona

A jemi humanë, si qenie njerëzore, apo nuk jemi të tillë?

Në shtrirjen mijëravjeçare, njeriu ka rezultuar të jetë qenia më sfiduese e planetit. Është skërmitur duke e shtrënguar me dhëmbë e thonj ekzistencën e tij dhe ka arritur deri aty sa të zhvillojë kapacitetet duke ndërmarrë misione edhe më të fuqishme, siç është kapërcimi nga Toka drejt një planeti tjetër. Por në habitatin e tij bazë ia ka dalë të mbizotërojë, duke e zhvilluar qenien e tij dhe duke superuar aftësitë e zakonshme. Inteligjenca e njeriut ka pësuar rritje, që nga shpikjet bazike si zjarri, rrota… deri tek ato teknologjike, shkencore, në formula krejt të pabesueshme të cilat gjithashtu janë bërë nga dora e tij. 

Njeriu, nga qenia humanoide dje, si një ‘anima’ që vërtitej për t’u përshtatur me jetën, sot ka arritur të bëhet një gjeni, falë aftësive të zhvilluara tej normales së pakonceptueshme mijëra vjet më herët. Dhe kjo është një mrekulli që ka ngjarë me të. Sepse janë ambicie që sollën një vlerësim të jetës, zhvillim dhe përmirësim të kushteve të saj. Por çfarë ndodh me pjesën tjetër, atë gjysmën paralele që plotëson njeriun si pjesë e qenësisë humane? Sa ka ndikuar shfrytëzimi i energjive në drejtim të rritjes si njeri, dhe sa e ka dëmtuar atë në të qenit njerëzor?

Pse ka kaq vështirësi në marrëdhëniet e tij mes vetes, dhe pse të qenit i sinqertë shikohet si një tipar veçues e i papërshtatshëm. Luftërat terroriste, ekonomike, politike, shëndetësore, kanë trazuar ujërat në mijëvjeçarin e ri. Kanë cenuar njerëzoren. Duket si një betejë egoizmi mes vetes. Qeniet njerëzore vazhdojnë t’i krijojnë vetes lloj-lloj problemesh. Një nga problemet më të mëdha mund të konsiderohet varfëria. Një koncept i gjerë që lidhet më shumë faktorë që gjunjëzojnë popujt. Nis me mjedisin. Ndryshimet e papritura klimatike dhe fatkeqësitë natyrore janë një tregues. Luftërat dhe konfliktet çdo vit detyrojnë miliona njerëz të largohen nga vendet e tyre. Shfrytëzimi i mjedisit, me të korrat intensive, shpyllëzimi i egër dhe minierat e pakontrolluara po e varfërojnë tokën. Shkelja e të drejtave themelore të njeriut që nga e drejta për liri, shëndet, arsim dhe ushqim po mohohen sistematikisht. Por varfëria ka sjellë dhe analfabetizëm të theksuar. Pikërisht tani, në vitet e kibernetikës ka njerëz që nuk dinë të lexojnë apo të shkruajnë. Të tjerë nuk mund të gjejnë një punë për të mbijetuar dhe shumë më tepër nuk janë të përfaqësuar për të kërkuar të drejtat themelore. 

Pra jemi në krizë. Vetë sistemi i gjërave të ngritur nga dora njerëzore ka hyrë në zgrip.

Jetojmë kohën kur teknologjia po mundëson një jetë më të mirë e dinjitoze për cilindo prej nesh. Jetojmë në një kohë, kur dhe pse planeti, si asnjëherë më parë ka 8 miliard njerëz mbi koren e tij, sërish uria është një term që vështirë të gjejë vend. Sepse mundësia për prodhim dhe për ta mbytur urinë është shumë më e madhe. Ndodh vetëm kur ajo është e stimuluar. Pra jetojmë në vitet e një progresi të pamasë.

E megjithatë jemi sërish jo aq humanë sa do të duhet të ishim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top