Në botën e sotme, të përshpejtuar dhe gjithnjë në ndryshim, edukimi dhe arsimi nuk janë më vetëm mundësi, por janë bërë domosdoshmëri për zhvillimin dhe përparimin e çdo individi. Ato janë shtyllat mbi të cilët ndërtohet një jetë e mbushur me kuptim, liri dhe mundësi për të arritur qëllimet e duhura. Edukimi dhe arsimimi nuk janë vetëm proceset që na ndihmojnë të fitojmë njohuri dhe aftësi, por janë forca që na udhëheqin drejt rritjes personale dhe të plotësimit të potencialeve tona.
Për ta thënë me haptazi, edukimi është baza dhe familja është themeli për të ndërtuar fëmijë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Ndërsa arsimi është shtylla e dytë po aq e rëndësishme, e cila formësohet në shkollë, me një orientim të duhur nga ekspertët e kësaj pune. Të gjithë jemi dëshmitarë të një shoqërie, problematikave që ajo ka, dhe jo rrallëherë biem në përfundime të cilat nuk na bëjnë aspak krenarë. Do të thoni ju, çdo shoqëri ka karakteristikat dhe fenomenet e saj. Po, e vërtetë, dhe është mëse normale të jetë kështu në diversitetin e popujve dhe të kohërave që jetojmë. Por a nuk e bën ca më shumë shqetësuese një bashkëjetesë ku etapa të ezaurueshme tanimë në mijëvjeçarin e ri, të konsiderohen si emergjente sërish? E kam fjalën për edukimin. Dhe ky nuk është një fenomen që më del vetëm mua para syve çdo ditë, besoj?! Për të mos harruar dhe arsimin, i cili shkon paralel me jetën e gjithsecilit. Dhe pa këto të dyja, pra një edukim dhe arsimim jo të mirë, individi nuk bëhet e dëmshëm vetëm për mjedisin social, por edhe për vetë jetën e padyshim, lirinë e tij.
Shembujt janë aty, të pakohë, të pavend, ta panumërueshëm, dhe më e keqja shkon deri aty saqë në vetëdijen e të paedukuarit apo pashkolluarit gjithçka t’i duket të jetë mëse normale. Dhe dominanca e rasteve lë për të dëshiruar, kur e ndeshim në grupmosha që pretendohet se e kanë kryer ciklin e formësimit. Duket si një rënie e lirë, me dashje apo jo nuk më takon mua, por nga ajo që shoh kuptoj fatkeqësinë.
Shkruajmë, flasim, përcjellim mendime mes grupesh shoqërore me të cilat na ndan familja, miqësia, profesioni, dhe kuptojmë gjithnjë e më shumë se shqetësimet i kemi të njëjta. Dhe këtë komunitet të prekshëm e ke aty, fare pranë teje, shoqëria që të rrethon, por jo vetëm, në shërbime për të cilat të duhet të përballesh çdo ditë, dhe ç’është më e keqja, që të bën të ndihesh “i dobët” para tij. Do thoni ju, aman vetëm ato fjalët magjike mos i përdor më se na janë bërë bajat “të lutem”, “a mundem”, “faleminderit”… vërtetë, por mesa duket jo. Sepse nga këtu nis gjithçka, mënyra e komunikimit, bashkëpunimit dhe e rritjes tënde si Njeri.
Një fëmijë i rritur nënkupton një individ që ka dalë në jetë, që nuk mund të jetë peng i mjedisit të papërshtatur ku është rritur. Atëherë këtu hyn në edukim plus edhe shkolla, e cila përveç mësimit të lëndëve për jetën, ndikon në krijimin e një personaliteti të aftë gjithashtu për t’u sjellë siç duhet në kontekste të ndryshme shoqërore.
Nuk ka prind që nuk do që fëmija i tij të rritet i shëndetshëm, i lumtur, dhe që të mund të jetojë mirë. Po, kjo është e drejtë, por që kjo të arrihet nuk mjafton vetëm ushqimi që merret nga goja si një proces fizik. Fëmija ka nevojë shumë herë më të madhe për atë ushqimin edukativ dhe shpirtëror që nis që kur bën lëvizjen e parë si fetus në trupin e nënës. Dhe kënaqësia merret dyfish kur dikush tjetër ta vë në pah cilësinë e individit që ke ditur të rritësh mirë për të nesërmen. Dhe ne sot mund të them se kemi nevojë më shumë për prindër të mirë. Për ata prindër jo të munguar, por të pranishëm me gjithë sakrificat që kërkon koha për një jetësë të mirë dhe familje e fëmijë të lumtur.
Botuar Revista Psikologjia Shtator 2024
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.