Editorial

February 15, 2024 | 16:04

Nga Orjona Tresa: Kujdes me fjalët, jo vetëm platformat virtuale dhe mediatike dëmtojnë rëndë shoqërinë

 

Realiteti shqiptar është bërë tejet i brishtë. E vërteta është e trishtë. Ditë pas dite shënohen ngjarje krimi. “E vranë”, “U vra”… “U vetëflijua”… Ngjarje që pasojnë njëra-tjetrën. Në kërkim të burimit, zbërthimit të gjendjes dhe konsiderimit të fakteve prej nga e kanë origjinën rastet, harrojmë se duke u marrë me trajtimin e tyre, përdorim padashur një gjuhë të cilën ata të prekshmit nuk mundet ta kuptojnë.

orjona

Informacioni i pakët, kulturor dhe social bën që kjo shtresë e popullsisë, të bjerë viktimë e rrjeteve të merimangave online, në disa raste, “shpëtimi” deri në mohim jete.

Një sistem vlerash që po rrëzohet dita-ditës, i pashmangshëm në terrene provincash dhe i paarritshëm në frenimin e fenomenit helmues.

Tik – Tok-u apo Facebook, Instagram apo Telegram? E ç’rëndësi ka më? Këta janë vetëm një pjesë e fillit prej nga ku nis e krijohet lëmshi. Në vendin tonë këto janë thjesht grepi për të zbuluar përqindjen statistikore të atyre që argëtimi social, dashuria dhe kultura u është mohuar në fëmijëri.

Rrjetet sociale nuk munden kurrsesi të të rrisin, domethënë, të të shkollojnë apo kulturojnë, dhe as të të mësojnë se si duhet të sillesh si një i rritur që i ke kapërcyer të 18-at. Ato janë një dritare e mirëfilltë marketingu, pse jo, një tërheqje vëmendje apo dëshirë për vëmendje për ata që ditë-nata i zë aty në orët e qëndrimit. Dhe nga këtu nis e keqja, ku si një lojë argëtimi shndërrohet në një formë jetese, përfshirje emocionale që jo çdokush mundet ta përballojë. Dhe, më të dobëtit nga ky eksperiment social rrjetëzor, fillojnë e bëhen objekt i gjuhës dhe komunikimit abuzues, pasojat e të cilit po shpërfaqen së tepërmi në ditët që po jetojmë.

Gjuha është ajo që si i vetmi mjet shprehës dhe komunikues, ka peshën më të madhe sot. Dhe ajo ka përgjegjësinë më të madhe, në varësi të mendimit të shprehur përmes tingullit apo tonit të zërit, por edhe përmes të shkruarit. Po ta bësh këtë përmes rrjeteve sociale, po duket edhe më e rëndë. Në fakt, ky realitet po trajtohet gjerësisht në media, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por për fatin e keq edhe këtu përçimi i mendimit përmes ngritjes së toneve në bisedë, përcjell një ngarkesë të një lloji tjetër.

Ne harrojmë se duke ngritur zërin nuk i kemi dhënë forcë dikujt në rrethin e errët, në kolaps total me veten, i mbytur në mentalitetin provincial e gjetkë, në fakt, po i japim një dorë, një shtytje fatale, duke i frikësuar drejt gjetjes së zgjidhjes.

Dashur padashur, tonet apo agresiviteti intelektual për gjetjen dhe zbërthimin e fenomenit, të prekshmit nuk i jep kurajë, por i mbërthen edhe më fort në lakun e dhimbjes së fortë ku është mbërthyer, duke e zhgënjyer në pamundësinë për t’ia dalë.

Ne kemi nevojë për oratorë të heshtur, aktorë që me butësi dhe qetësi të mund të artikulojnë dhe ndërhyjnë në vetminë e të prekshmit, t’ia lehtësojnë barrën e dhimbjes, të ndikojnë në frenimin drejt aktit fatal, duke ia hapur sytë në një botë të mbushur me abuzues dhe mëkatarë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top