Nga Orjona TRESA
Sa herë afrohet Dita e Verës në mend më vijnë gjyshërit e mi të mirë. Të kujdesshëm që ne më të vegjëlve të na e bënin sa më të gëzueshme këtë festë, për të cilën thuhet se është pagane. Nuk u shpëtonte asnjë detaj i ritualit që çdo vit e bënin me përpikëri, dhe ne që thoshim me vete se si ka mundësi që i mbajnë kaq mend mirë këto zakone.
Gjyshërit e mirë, mama dhe baba, – siç na mësuan t’i thërrisnim, – ishin po aq të kujdesshëm në përçimin e kulturave dhe traditave. Ishin nga ata gjyshërit e urtë që nuk lodheshin së treguari histori dhe ngjarje me mesazhe për jetën. Dhe e tillë ishte dhe Dita e Verës. Na e shpjegonin sa herë po aq bukur historinë e Zanës së Çermenikës, perëndeshës së gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës, e cila sipas gojëdhënës dilte çdo 14 mars për të falur begati në vend. Dhe kështu duhej të vinte edhe për ne.
Gjyshërit kujdeseshin ditë përpara për të gjitha, duke na bërë enkas edhe nga një pako të mbushur me palë fiku, portokall, arra, bajame, lajthi, mollë, vezë fshati të ziera dhe nga një degëz luleje karakafte ose zymbyl, por edhe ndonjë lekë për ta prishur për qejfin tonë. Për ta ishte një ditë e veçantë, për të gjithë ne mbesat, sepse kështu na qëlloi të ishim, të mblidheshim bashkë me prindërit tanë për të festuar së bashku, pranë njëri-tjetrit, ditën e bekuar të verës. Dhe kjo prani ishte tejet e rëndësishme për ta.
Kjo festë e trashëguar brez pas brezi, na mblidhte që në mbrëmjen e 13 marsit. Sepse tradita e thotë se duhet të na gjente në kapërcyell të datës 14 mars, të gjithë bashkë, mes njëri-tjetrit. Dhe rituali vazhdonte kështu: gjyshja çohej herët, sa zbardhte, dhe mblidhte degët e para të luleve në kopsht. I vendoste ato në një vazo, që kur të çoheshim nga shtrati të na jepte nga një për secilin. Mandej ziente vezët dhe me ujët e tyre na tregonte se duhej të shpëlanim fytyrën dhe ta fshinim me një pecetë të kuqe. Një ritual bekimi për mirëqenien tonë. Mandej, kujdesej për drekën e shëndetshme, me plot gjëra, mish shpendësh, byrek me barishte dhe ëmbëlsirat tradicionale ballakume dhe revani, drekë të cilën nëse do të na favorizonte dita, do ta ndanim mes nesh në natyrë. Pikniku ishte një traditë që mbahej ose në kodrat e ullishtave, ose në Parkun e Krastës, ose pranë shtëpisë në Parkun Rinia. Ne të vegjlit luteshim që shi mos të kishte, ndërsa me sa mbaj mend në kujtimet e mia para viteve ’90, çdo ditë vere ka qenë e tillë, një ditë e vërtetë vere. Zakoni e donte gjithashtu që të vishnim dhe rroba të reja, për ne më të vegjlit, mundësisht me mëngë të shkurtra që t’i gëzoheshim ngrohjes së motit.
Plot kujtime më kthejnë pas në ato vite, të cilat për fat i kemi të dokumentuara me foto. Edhe pse, jo gjithmonë ishin mundësitë për të na e bërë qejfin, sepse të tilla ishin kushtet. Pavarësisht kësaj, ata e kapërcenin këtë pjesë, duke mos harruar asnjëherë që të na e bënin qejfin. Ditë përpara kujdeseshin të na bënin veroret, ballakumet dhe revanitë. Këto janë simbolika më e madhe e festës. Veçanërisht ëmbëlsirat, që askush më mirë se elbasanasit vendas i bëjnë. E gjitha u merrte shumë kohë. Sekreti nuk ishte vetëm tek përbërësit, por edhe mënyra se si do t’i miksonin, e cila gjithashtu donte kohën e vet. Mama jonë, Afërdita – mamë vetëm mbesash, – i kishte të gjitha mjetet e duhura për të realizuar ballakumet dhe revanitë. Bashkë me vajzat e saj ajo niste e para punën për recetën e parë. Shkrinte gjalpin e fshatit deri sa ai lëshonte aromën që mbushte gjithë shtëpinë. Mandej në një enë të madhe bakri rrihte me lugë të trashë druri sheqerin të miksuar me gjalpin. Pastaj e transmetonte dorë pas dore te bijat e saj deri sa masa të ishte shkriftuar, dhe… minutë pas minute shtohej nga një vezë fshati. Dhe nuk po flasim për minuta. I gjithë procesi i ballakumeve, prej nga ku niste receta, kërkonte më shumë se një orë ose dy përkushtim. Sepse të tilla janë ato, duhen bërë me delikatesë, aty qëndron edhe sekreti se përse janë aq të shijshme. Mama na thoshte që duhet ta ruajmë traditën. Të mos dembelosemi duke i bërë shpejt, sepse ato nuk do të na dalin të shijshme, madje “do na turpërojnë duart”. Dhe nuk duhej harruar se që të dilnin të shijshme, duhej përdorur vetëm majë mielli misri, të cilin ato e sitnin me sitë të imët, dhe finjë, apo hi zjarri siç mund ta njohim.
Edhe pjekja ishte po kaq e veçantë, me një temperaturë të ngadaltë deri sa ato merrnin një faqe. Edhe revania, ëmbëlsirë po kaq e veçantë, gati me të njëjtët përbërës, bëhet po kaq e shijshme. Sot këtë traditë e trashëgon një nga tezet e mia, e cila i realizon me të njëjtën shije siç na i bënte gjyshja. Është e vetmja që kujdeset me përpikëri t’i përmbahet recetave unike, dhe të na e bëjë po aq të ëmbël dhe të bukur 14 marsin. Tezja ime, Flora, i bën të pakrahasueshme ballakumet. Trashëgon njëjtë modelin e gjyshes, duke ua bërë qejfin edhe nipërve dhe mbesave pasardhës, si dhe të na mirëpresë në tryezën familjare me të njëjtat rite.
Gëzuar Ditën e Verës!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.