Reality Show-t dashur pa dashur të përfshijnë t’i ndjekësh. Dhe është normale. Formate të tilla televizive jo domosdoshmërisht prodhojnë debate që gjenerojnë banalitet, por sjellin në vëmendje edhe problematika të forta sociale. Ndoshta, ky është dhe qëllimi për disa që zgjedhin të përfshihen aty, e të tregojnë për jetën që bëjnë, ndoshta për t’u mbrojtur nga një “e keqe” më e madhe sa ç’mund të etiketohet ky spektakël.
Ledionën e njoh vetëm si gazetare investigative. Tek e fundit nuk është e nevojshme ta njoh, edhe pse kolege. Vetëm se gjithmonë më është dukur e guximshme deri në vetëmohim. Duket që është një grua e fortë, gjë që provon rezistencën e saj para një mashkulli pedofil, manjak apo dhunues. Duket se të gjitha këto, – përballja me një realitet fort të egër e anatemues, – nuk ia trembin syrin. Duket se kjo përballje është një betejë që e ka fituar me kohë. Ajo e ka trembur frikën, së pari me veten. Dhe kjo është trimëria më e madhe që mund të bëjë secili prej nesh.
Ka zgjedhur të luftojë për jetën, për dashurinë në emër të fëmijës, për prindërit e saj që mezi e kanë rritur dhe për besimin që Zoti ia ka dhënë për të gjetur forca të reja.
Mora si shembull Ledionën, jo për ta përkrahur apo për të bërë tifo. Jo! Zgjodha gruan, atë që nuk dorëzohet para vështirësive. Ato vështirësi që i kanë nga pragu i derës e pas këtij pragu dhe që përndiqen me çmimin për jetën.
Sipas ngjarjes së rrëfyer nga vetë Lediona në lidhje me jetën e saj, martesën e marrë fund, divorcin dhe të vetmen gjë të mirë që ka përfituar nga bashkëjetesa më një mashkull, vajzën e saj, 33-vjeçarja na tregoi me fjalë të ndjera, pa lënduar askënd, historinë e trishtë. Ajo zgjodhi “të mbrojë” ish-bashkëshortin publikisht në emër të vajzës, të thotë se ka marrëdhënie të mirë me të dhe familjarët e tij. E vërtetë apo gënjeshtër, kjo është diçka tjetër. Por di të them se nuk shfaqi mllefe, inate të akumuluara. Lediona u shpreh se kaq mundet të thotë vetëm për hatër të vajzës, për ta rritur atë me dashurinë për të atin por dhe për gjyshërit që jetojnë në Korçë. Pra, dha një mesazh për të gjithë ata çifte më fëmijë, që ndodhen në këtë udhëkryq dhe që kërkojnë t’i zgjidhin punët vetëm me dhunë. Por 33-vjeçarja edhe pse refuzoi të rrëfejë realitetin që ka ndarë me ish-bashkëshortin, se gjithçka kuptohet edhe pa thënë shumë fjalë, ajo u përball me një realitet ndryshe. Ajo çfarë e përmbajti shumë “iu shpërblye” me akuza që ajo i quajti të pavërteta nga ana e ish-bashkëshortit, për të cilat zgjodhi të mos i komentojë. Dhe më pas mediat, rendën të zbulonin mbi këto të vërteta që mund të fajësonin apo mbronin Ledionën.
Dhe kështu ndodhi. Pa u mbushur 24 orë nga spektakli i së shtunës, u publikua një vendim gjyqësor ku çifti shkurorëzohej me arsyen: ‘dhunë ndaj bashkëshortes’.
Kësaj të vërtete, siç lexohet një ditë më pas ftohtësisht, Lediona i është ruajtur, duke dashur të mbrojë babain në sytë e të bijës, por mund të jetë dhe e kundërta. Ndoshta është koha kur e bija duhet të mësojë të vërtetat, dhe pse këto sakrifica bëhen vetëm nga njëra anë e ish-partnerëve. Sepse e vërteta një ditë do të dalë, sado të mbulohet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.