“Ligji në dorën e Maliqit mund të jetë kështu, por mund të jetë edhe kështu. Ky shkop është i drejtë, se ka ca me gunga…”. Sentenca e gjetur e mjeshtrit të kinematografisë Dhimitër Anagnosti, vënë në gojën e Birçe Haskos (Dasmori i urtë) në filmin “Përrallë nga e kaluara”, mbart një të vërtetë të pakapërcyeshme për realitetin shqiptar, një mendësi e pakallur, shpesh luftarake, që e sheh “të drejtën” personale më të fortë se ajo e përcaktuar nga ligji dhe vetë ligjvënësi.
Mesa duket, forca që të jep pushteti të rreh aq fort krahët, sa të duket se mund të fluturosh si një zog i lirë. Dhe për çudi, çudi prej të marri, ka nga ata që marrin përsipër koston e kundërshtimit të një urdhri gjykate, duke harruar se nesër mund të mbajnë vetë përgjegjësi për këtë mosbindje. Kujt i shërben kjo “trimëri”? Sa “ushtar i bindur” mund të jesh, kur e nesërmja mund të të fundosë në të njëjtin batak që krijove vetë?
Në këtë absurditet që po përjetojnë gazetarët e News24 dhe Panorama, më trishton fakti se marrëdhënia mes ligjit dhe atyre që e zbatojnë ka degraduar deri në mosrespektimin e vendimeve gjyqësore. Vetëm dy ditë më parë, gjykata lejoi hyrjen në godinën mediatike për të marrë materialet dhe sendet e punës. Por urdhri u trajtua si një provokim nga forcat e rendit, të cilat nuk ngurruan të shtyjnë apo të prekin fizikisht gazetarët dhe punonjësit, si të ishin sende pa zë e pa të drejtë.
Nëse policia do të bënte detyrën e saj sipas ligjit, ndoshta duhej të kishte me vete edhe një “detektor vetëdijeje”, për të skanuar jo çantat e gazetarëve, por ndërgjegjen e atyre që përdorin forcën në vend të arsyes. Mesa doli, ishte “shumë zhurmë për asgjë”. Edhe një ditë tjetër iu shtua kalvarit të gazetarëve të News24 dhe Panorama, të cilët, pavarësisht pengesave, vazhdojnë misionin e tyre në kushte më të vështira se kurrë.
Nën diellin përvëlues të gushtit, Arkad Bajaziti, inxhinieri më me përvojë i transmetimit në News24, qëndron në rrugë me makinën e transmetimit live, përballë godinës së bllokuar, për të përcjellë çdo zhvillim. Madje, teksa u shty nga punonjës policie, kur iu desh të hynte në godinë për të marrë materialet e veta, rrezikoi seriozisht shëndetin, duke pasur nevojë për ndërhyrjen e urgjencës mjekësore.
Përkrah tij janë Anila Jole, drejtoresha e informacionit; Osman Stafa, gazetari i palodhur; Ola Bruko dhe Nisida Tufa, figurat e njohura të edicionit të lajmeve; Klodiana Lala, kronikania kokëfortë dhe e pamposhtur në kërkim të së vërtetës; Endri Xhafo, drejtuesi i debatit politik ku “ndeshen titanët”; Klevin Muka, gazetari i “Koha për t’u zgjuar”, emision që mirëpret ankesat e qytetarëve për t’i adresuar në zgjidhjen e mëtejshme; ekipi i “Tak Fak”, që ka trazuar ujërat me temat e guximshme; gazetarët e Panorama dhe Balkanweb, që punojnë në terren me ritëm të rrufeshëm. Fation Binjaku, drejtues i informacionit në Panorama.com.al, së bashku me kolegët e Balkanweb, ndajnë orë të gjata raportimi në rrjetet sociale përkatëse, jo vetëm për kauzën e përbashkët të Focus Group Media, por edhe për kronikën e përditshme të vendit, nga zjarret e verës e deri te zhvillimet gjyqësore e problemet e transportit.
Mesazhi i presidentit të Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu këto ditë, drejtuar gazetarëve, ka qenë i qartë dhe i prerë:
“Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj! Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet, dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni të shuajë zërin tonë! News24 nuk mbyllet! E vërteta nuk zhduket!”
Zv/presidentja Fabiola Hysenbelliu ka ndjekur personalisht zhvillimet pranë godinës së uzurpuar, duke garantuar se do të qëndrojë pranë gazetarëve dhe punonjësve deri në rikthimin e normalitetit.
Në këto ditë të nxehta gushti, vlen të theksohet edhe solidariteti i treguar nga media vendase e ndërkombëtare, gazetarë, shoqata profesionale, politikanë të opozitës, përfaqësi diplomatike dhe figura publike, që kanë dalë hapur në mbështetje të News24 dhe Panorama.
Këto ditë do të mbeten gjatë në kujtesën tonë kolektive si pjesë e historisë së medias shqiptare, një kapitull i shkruar në të njëjtën faqe me ngjarjet më të vështira të tranzicionit tonë.
Dhe, për ta mbyllur me një reflektim nga këndvështrimi i psikologjisë, fushë ku kam ecur për gati 16 vite, mund të them se jeta jonë lëviz mes dy shtyllave të lashta: Mantra dhe Karma. Rruga që zgjedhim si individë përcakton edhe atë që na kthehet mbrapsht. Dhe ndoshta, kjo që po përjetojmë sot, është një provë e qartë se si ligji, e drejta dhe ndërgjegjja përplasen mes tyre, derisa dikush të zgjedhë të bëjë hapin e duhur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.