Editorial

January 5, 2026 | 10:00

Nga Orjona Tresa: Mbillni pozitivitet sot, jo nesër!

 

 

Ka një lodhje që ndihet rëndë në ajër. Një vend që zbehet pak nga pak, fshatra që heshtin, qytete që humbin ritmin, të rinj që largohen me nxitim sikur po i ndjek dikush nga pas. Vitet e fundit na kanë vënë përballë një tabloje të trishtë: emigracion masiv, lindshmëri që bie, familje të lodhura, prindër të pasigurt, fëmijë që shkëlqejnë më rrallë me gëzim dhe më shpesh me shqetësim. Si shoqëri kemi hyrë në një epokë ku frika, lodhja, pesimizmi dhe dëshpërimi kanë marrë shumë terren.

pozitive

Por mes gjithë kësaj errësire, unë besoj se ekziston diçka që mund ta ndryshojë rrjedhën. Diçka e vogël, por e fuqishme. Diçka që nuk kërkon buxhet shteti, programe të stërzgjatura apo reforma të mëdha.

Pozitiviteti.

Po, pozitiviteti. Ai që shpesh e quajmë i thjeshtë, i padobishëm, i vogël… por që në të vërtetë është themeli mbi të cilin ngrihet çdo shpresë e re, çdo hap përpara, çdo marrëdhënie e shëndetshme, çdo ndërtesë e një të ardhmeje më të mirë. Mbillni pra pozitivistet, thuajeni një fjalë e mirë, jepeni një buzëqeshje, një përqafim. Janë gjëra që i kemi në dorë, gjëra që nuk na i grabit dot askush. Në një kohë kur humbja e kontrollit duket më e mundshme se ruajtja e ekuilibrit, një qëndrim i mirëfilltë pozitiv është akt guximi. Sepse është shumë më e thjeshtë të dorëzohesh, të rrëzohesh në humbëtirë, të ushqehesh me negativitet. Mjafton të lëshosh veten. Për të mbajtur veten lart, për të mos u përkulur ndaj së keqes, duhet forcë e brendshme.

Shoqëria, prindërit, familja, shkolla, institucionet, askush nuk mund të qëndrojë duarkryq! Ne nuk mund të vazhdojmë të ecim si deri më sot. Nuk mund të presim që e ardhmja të na trokasë në derë me zgjidhje të gatshme. Fëmijët tanë nuk mund të presin, ata duan tashmë një botë më të sigurt. Dhe po, është e vërtetë dhe e dhimbshme që fëmijët tanë po i marrin jetën njëri-tjetrit, pa vetëdije, pa frikë, pa ndalesë. Kjo është një thirrje alarmi që nuk guxon të injorohet.

Ne si prindër duhet të kthehemi te dialogu, te vëmendja, te përgjegjësia emocionale. Ne si shkollë duhet të edukojmë jo vetëm me dije, por me shpirt, me moral, me ndjeshmëri. Ne si institucione duhet të japim shembull, jo duke gjetur justifikime, por duke vepruar. Ne si shoqëri duhet të mësojmë të mos vrapojmë drejt të huajës nga zhgënjimi me tonën, por të rindërtojmë këtu atë që mungon.

Vendi është tkurrur sepse jemi tkurrur ne. Rinia po ikën sepse nuk e gjen dot dritën te ne. Qytetet janë zbrazur sepse nuk i mbushim më me shpresë.

Por po të nisnim të mbillnim pozitivitet, çdo ditë, me këmbëngulje, realiteti do të ndryshonte. Pozitiviteti nuk është çudi, është farë. Dhe farat nuk japin fryt nëse nuk mbillen. E ardhmja nuk ndërtohet nga kritikat, por nga qëndrimi. Të kritikosh është e lehtë. Të rrish në vend është e zakonshme. Të nënshtrohesh ndaj negativitetit është e natyrshme. Mirëpo të ringrihesh, të ndërtosh, të frymëzosh, kjo kërkon zgjedhje. Dhe zgjedhjet e vogla të përditshme janë më të rëndësishme se çdo plan madhor politik.

Pozitiviteti nuk zgjidh gjithçka, por është fillimi i çdo zgjidhjeje. Është ura që na lidh me njëri-tjetrin në kohë fragmentimi. Është drita që nuk e fik dot askush veç nesh. Prandaj, përpara se të kërkojmë ndryshim në rrethana të mëdha, le të nisim nga gjërat e vogla: një buzëqeshje, një ndihmë e vogël, një fjalë e mirë, një falje, një afrim. Le të rrisim dritën brenda nesh për të mos e lënë errësirën të zgjerohet jashtë nesh.

Mbillni pra pozitivistet! Sepse në një vend ku shumë po largohen, ai që mbetet duhet të mbjellë shpresë. Sepse e ardhmja nuk vjen vetë, ne duhet ta krijojmë atë me dritën dhe pozitivitetin tonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top