Aktualitet

January 28, 2026 | 8:30

Nga Orjona Tresa: Më shumë djem si Mali, Stenaldo…

Spektaklet e tipit reality, të ashtuquajtura “eksperimente sociale”, (ku disa formate të rilla zhvillohen në televizionet shqiptare) në thelb nuk janë veçse pasqyra individuale dhe njëkohësisht tablo e gjerë e shoqërisë ku jetojmë. Nëse nuk do të reflektonin diçka reale nga ne vetë, nuk do të na tërhiqnin, nuk do t’i komentonim, e as nuk do të na provokonin kaq fort.

Mali dhe Stenaldo

Përtej “aleancave” të servirura ftohtë, pothuaj ceremonialisht, qëndron një raport më kompleks, ai mes publikut si “kritik” dhe industrisë mediatike si “marketuese” e algoritmeve milionëshe me shifra marramendëse. Pikërisht këtu lind nevoja për një balancë më të ndershme mbi atë që i ofrohet masës. Sepse, përtej lojës, ekziston jeta, shumë jetë, që ndjekin, ndikohen dhe formohen nga ajo që, për fat të mirë apo jo, dominon komunikimin dhe sjelljen përtej ekranit.
Në këtë terren loje, mes protagonistëve gjejmë personazhe të mirë, figura pozitive në një kuptim të gjerë shoqëror, por edhe “bastunj”, të gatshëm dhe pa kurrfarë droje për të prishur tufën. Media, në këtë lojë autoriale gjithëpërfshirëse, i ka në dorë fijet për t’i vënë këta individë në skenë, për sa kohë ata vetë zgjedhin të bëhen pjesë e saj. Rrjedhimisht, media i luan, i ekspozon dhe shpesh ua kthen kusurin me të njëjtën monedhë që ata vetë kanë zgjedhur për “të luftuar”. Debati, zënkat, konfliktet, madje edhe kacafytjet, shërbejnë si katalizatorë audiencash, për t’u pasuar më pas nga kthesat morale të shpejta, “me dorën mbi Bibël apo Kuran”, në emër “pendesës” dhe rehabilitimit publik. Por jo gjithmonë ky skenar funksionon. Kompromiset janë bërë, hatëret janë mbajtur, sepse kështu e ka kjo lojë.
Pyetja që mbetet është: çfarë mund të bëjmë ne, ndjekësit, idhtarët ende të televizionit, që me të drejtë kërkojmë informim dhe argëtim cilësor? Ndoshta përgjigjja është më e thjeshtë nga sa duket: të bëhemi më përzgjedhës, më ndarës në gjykimin tonë, duke vëzhguar se cilat figura meritojnë vëmendje dhe cilat jo. Në fund të fundit, si shoqëri, e kemi intuitivisht të qartë se çfarë është një personazh i mirë dhe kush nuk duhet të promovohet më nëpër ekrane.
Për ta konkretizuar këtë qëndrim, arsyeja pse unë ndjek një format reality, Big Brother në rastin konkret, lidhet drejtpërdrejt me personazhe si Mali apo Stenaldo, pjesëmarrës të këtij spektakli. Ata përfaqësojnë individë me botëkuptim, të zhvilluar dhe largpamës, me qëndrim qytetar dhe maturi emocionale, njerëz fatlumë për këdo që ndan jetën me ta. Janë figura për të cilat loja nuk duhet të jetë thjesht një garë, por një hapësirë ku vlerat dalin në pah dhe ku fitorja merr kuptim përtej çmimit.
Pse pikërisht këta dy shembuj?
Sepse janë dy të rinj që shfaqin qartësisht inteligjencë emocionale të lartë. Ata dinë të lëvizin brenda një loje të ashpër dhe shpesh agresive, pa humbur kontrollin e vetes; dinë të diferencojnë durimin nga nënshtrimi dhe tolerancën nga mungesa e kufijve. Psikologjikisht, ky është tregues i një personaliteti të integruar, që nuk reagon impulsivisht, por zgjedh vetëdijen mbi instinktin.
Në një realitet televiziv ku shpesh normalizohet agresiviteti, viktimizimi apo manipulimi emocional, figura të tilla shërbejnë si modele të shëndetshme identifikimi. Ato tregojnë se forca nuk qëndron tek zhurmnaja, por tek qetësia; nuk qëndron tek dominanca, por tek vetëkontrolli, dhe jo në shkatërrimin e tjetrit, por në ruajtjen e dinjitetit personal. Dhe pikërisht këtu duhet të qëndrojë përgjegjësia jonë kolektive, të ushqejmë me vëmendje ata që ndërtojnë, jo ata që shkatërrojnë.
Sepse, në fund, realiteti që shohim në ekran është gjithmonë një reflektim i zgjedhjeve tona si shoqëri. Dhe sa më shumë të kërkojmë figura me integritet psikologjik e moral, aq më shumë do të kemi djem si Mali apo Stenaldo jo vetëm në reality show, por edhe përtej tyre.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top