Rrugëtimi nëpër udhët e fëmijërisë së hershme vjen sa herë që e kërkojmë si një nevojë për të parë veten në atë film kujtimesh, i cili ekziston vetëm te memoria jote. Na pëlqen ta kujtojmë, të flasim e të ndajmë emocionet e vjetra, nga ato që nuk shuhen lehtë nga kujtesa, e që për fat, janë më të dlirat dhe të pastrat që truri ka fatin t’i ruajë të tilla deri kur bëjmë kapërcimin fatal, atë drejt një bote tjetër të mistershme.
Kur rritemi mundohemi sërish t’i identifikojmë këto ndjesi, si për t’i kujtuar vetes se jemi rrjedhim i asaj të shkuare e s’ka si ndodh ndryshe. Dhe vijnë në mendjen tonë në mënyrë të pandërprerë, pikërisht ato ngjarje që shënojnë më pas dhe identifikimin tonë si të rritur. Këto rreshta dua t’ia dedikoj një personi të veçantë, e cila është pjesë e kujtimeve të mia të fëmijërisë. Një grua me personalitet, por po aq e devotshme në misionin e saj për të qenë arsimtare e ciklit fillor.
Lumturi Sako ishte shembulli i mësuesve që përfaqësonin stafin pedagogjik të shkollës 8-vjeçare “Vasil Shanto” në vitet ’80. Ishte një grua këmbëngulëse dhe e përkushtuar në profesionin që kishte zgjedhur. Jepte mësim dy vitet e para në ciklin e ulët, periudhë që ishte dhe më e vështira për mësimin e fëmijëve. Ne vinim nga kopshti. Pak informacion kishim për germat, dhe për numrat akoma më pak.
Ajo çka dinim ishin vetëm përrallat e vjershat. Fronti i ri kishte tjetër program. Ishim aq të vegjël sa për t’u shtruar duhej kohë dhe shumë durim. Kur hyri në klasën tonë, e Para “B”, prezantimi i saj u fiksua, sa edhe sot më kujtohet në kohë po me të njëjtin kontekst, pa humbur as sekuencën më të vogël. Flokë të zinj, buzë të kuqe, e pashme, me timbrin e veçantë të zërit, trup mesatar, përparësja e bardhë veshur dhe dy duart ftues për të nisur një start të ri bashkë.
Atëherë figura e mësuesit ishte e shenjtë, po aq sa dhe mësuesi ta impononte respektin nëse e meritonte vërtet atë. Mësuese Lumja kishte përvojë. E njihte mirë psikologjinë moshore. Nuk bënte shaka lehtë, dhe as notën nuk e falte aq kollaj, kjo për të dhënë një mesazh, që më vonë do të kthehej në besim për ne, për ta fituar notën me meritë. Kështu na edukoi ne, fëmijët e asaj periudhe. Të gjithë të barabartë, pa ndasi të asnjë lloji, merrnin atë që u takonte, ndërsa në fund, ajo e lumtur për çka kish ditur t’u transmetonte, falte dashuri.
I ka kaluar të 70-at. Mëngjesi i saj janë shëtitjet në kodrat e liqenit artificial. Nuk rresht asnjë ditë të vitit, vetëm kur moti nuk favorizon. “Një kafe në natyrë është ilaçi më bio” më thotë, dhe ca diskutime për jetën të cilat i ndan me njërën prej motrave të saj. Herë pas here takohemi. Takohemi me mall dhe risjellim kujtimet e shkuara, unë fëmijë dhe ajo ishmësuesja ime e fillores. Respekti është i njëjti për të, sepse ajo nuk ka ndryshuar.
Ndajmë opinionet tona, ndërsa mua më pëlqen ende t’i thërras mësuese. “Nuk ka mësuese si Ju” ia përgjithësoj, sepse në kujtesën time janë shumë mësuese si ajo, mësuesi nderi.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.