Mirënjohja po e humbet forcën e saj, atë vlerë prej së cilës kemi përftuar shumë në të qenit Njeri sot. Sepse mirënjohja nuk është thjesht një akt falënderimi, por mbi të gjitha mirësjelljeje. Për shkak të nxitimit apo mungesës së vëmendjes, por edhe më shumë se kaq, cinizmit duke përdorur rrengje për të përfituar, harrojmë ose injorojmë atë që është e vlefshme. Ndryshimet reflektohen dukshëm në shoqërinë e sotme. Dukshëm në ambiente të ngushta, marrëdhënie në komunitet, punë… e më gjerë se kaq në rrjetet sociale. Nis nga përdorimi i një gjuhe tejet të dëmshme, e cila reflekton gjithashtu një ndalesë kulturore. E këtu nuk përjashtohet as emancipimi, një tjetër vlerë që për shkak të rendjes së një modernizimi pa krye, cenohet dhe fundoset çdo ditë.
Orjona Tresa, gazetare
Po humbasim një varg cilësish të kultivuara herët, siç është edhe mirënjohja, të ndërtuara mbi ndjenjat bazë që sjellin ngrohtësi, afrimitet, mbështetje, dashuri dhe lumturi. Sepse, është mirënjohja ajo që na jep një shkëndijë lumturie, një plotësi e madhe që ka të bëjë më të ndjerit i përmbushur. Edhe lumturia është faktor, aq sa mungesa e saj të të tjetërsojë si individ, e kjo ka si pasojë mungesën e mirënjohjes. Në jetën e përditshme duket se është shndërruar në një fenomen. Nuk ka takt në të shprehurit apo të kërkuarit të asaj që të takon. Ka ndryshuar forma e shprehjes së etikës, sjelljes. Ka vulgaritet që në mënyrën e të menduarit. Ka shumë që, pasi ia hedhin lumit, pengesave apo vështirësive me të cilat jeta i ka përballur, e harrojnë shumë shpejt
Dorën që i dha mundësinë për t’u ngritur, ringritur…
Ka nga ata që guxojnë deri aty sa mbi parimet dhe fjalorin tënd, të kundërvihet e të të bëjë leksione moralizmash shoqërore apo profesionale. Shkurt, të të japë mend kur vetë nuk e kanë sasinë e duhur të lëndës. Ka nga ata që thyejnë çdo normë shoqërore sepse realiteti i ndërtuar nga duart e veta nuk i përmbush, se zgjedhjet e bëra i kanë rezultuar fataliste dhe i duket se e gjitha bota është kundra tij. Ka shumë, pa fund raste. Mirënjohja nuk është nënshtrim. Nuk duhet keqkuptuar.
Është thjesht mirënjohje, kur dikush, qenie hyjnoje a tokësore në qoftë ai, të ndihmon pa interes pikërisht atëherë kur nuk e ke veten në dorë. Dhe mirënjohja është në nderin e atij që çliron atë dhe nuk e mban të ndrydhur e ngujuar. Pakënaqësitë po e dobësojnë çdo ditë mirënjohjen. Të jesh mirënjohës është më shumë se një formë edukimi, është një mënyrë për të kapërcyer kufijtë dhe për të arritur një dimension më emocional, personal dhe madje edhe shpirtëror.
Ndaj, pse të mos jemi mirënjohës për jetën që na është dhënë? Pse të mos jemi mirënjohës për çfarë na rrethon? Pse të mos jemi mirënjohës edhe për ata që i kanë këto karakteristika? Dhe përsëri, pse të mos falënderojmë veten për integritetin, guximin dhe forcën tonë? Të gjithë e dimë që ndonjëherë nuk është e lehtë të futesh në “njohjen e zemrës”, asaj të cilës i referohet Lao Tzu në aforizmin e tij:
Çdo ditë truri ynë na drejton drejt rrugës më objektive dhe racionale, ku qëndrojnë disa pakënaqësi, zhgënjime. Thjesht shfaqja e mirënjohjes përfshin çlirimin personal. Të qenit mirënjohës do të thotë të njohësh, të veprosh me përulësi dhe pa mjeshtëri, të mësosh të vlerësosh atë që është vërtet e rëndësishme në jetë.
Botuar tek Revista Psikologjia, Nr.181, muaji Korrik
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.